Dy të rinj shqiptarë që ranë në prangat e policisë britanike më herët gjatë këtij viti, kanë deklaruar se janë detyruar të mbjellin kanabis nga një bandë kriminale.
Gjatë operacionit të policisë në Blackpool, të rinjtë shqiptarë Arbri Dervishi dhe Francesk Markaj, të dy 26-vjeç u gjetën brenda një banese të përshtatur për mbjelljen e kanabisit.
Policia zbuloi 105 bimë të mbjella në katin e dytë të banesës si dhe rrjetin e përshtatur për të vjedhur energjinë elektrike.
Dervishi dhe Markaj thanë se kishin mbërritur në Britani për shkak të kushteve të vështira ekonomike në Shqipëri. Ata thanë në gjykatë se ishin kërcënuar nga banda e trafikantëve të cilët i kishin thënë se do t’i vrisnin nëse nuk punonin në “shtëpinë e barit”.
Avokati mbrojtës i shqiptarëve i tha gjykatës se ata jetonin në kushte ekstremisht të vështira në banesën ku edhe kultivonin kanabis, dhe mund të ishin gjetur të vdekur brenda saj nga dita në ditë.