Pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, Kryeminisri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë një vendim të minutave të fundit.
Kështu, Haradinaj do të mbledhë Këshillin e Sigurisë, sot në orën 13:00. Në qendër do të jetë pikërisht arrestimi i zyrtarit serb si dhe gjendja e sigurisë në Kosovë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të kompetencave Kushtetuese dhe ligjore, ka thirrur sot për në ora 13:00, mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Këshilli i Sigurisë së Kosovës, do të diskutojë për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend. Pas mbledhjes do të ketë konferencë për media. Luten media që të jenë në ndërtesën e Qeverisë në orën 13:30”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës kryeministrore në Kosovë.
Kujtojmë se, Marko Gjuriç u arrestua dje rreth 17:00 në Mitrovicë, ku po mbante një fjalim në kuadër të dialogut të brendshëm të Serbisë për Kosovën.
Njësia Speciale e Kosovës e arrestoi Gjuriçin, pasi institucionet e Kosovës i kishin refuzuar kërkesën për të hyrë në Kosovë. Pas kësaj, Gjuriç kishte thënë se ai do të jetë në Kosovë dhe “nëse munden le të më ndalin shqiptarët”.