Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në kryeqytet ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor Ervis Shkurta, 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Dyshohet se efektivi i operacionales, Ervis Shkurta bashkëpunonte me grupin që do shkëmbenin 1 kg kokainë afër Rrugës së Kavajës.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se efektivi i Forcave Speciale bashkëpunonte me grupin që mbrëmjen e 21 marsit pranë Lidhjes së Shkrimtarëve do të bënin dhe shkëmbimin e 1 kg kokainë. Por në momentin kur agjentët e antidrogës i bënë thirrje për të ndaluar i përplasën me makinë.
Efektivi Forcave Operacionale, Ervis Shkurta, prej kohësh ishte i lidhur me grupet kriminale që merren me trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Madje, burimet bëjnë me dije se edhe mbrëmjen e së enjtes, ku Antidroga arrestoi 3 të rinjtë, Eneo Sulejmanaj, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, në Rrugën e Kavajës, Shkurta rezulton se ka qenë afër vendit të ngjarjes dhe sapo ka parë që kolegët e tij ndërhynë, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën, që të largohen me shpejtësi.
Emri i tij mësohet se ka dalë pas zbërthimit të celularëve të treshes së arrestuar, pasi hetuesit kanë mundur të gjejnë biseda mes të arrestuarve me një personi me nofkën “Visi i Pazarit”.
Ai lidhej me një numër britanik në aplikacionet e celularëve me të arrestuarit, ku komunikonin për mallin dhe shumat e lekëve. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për gjetjen e aparatit celular me numër britanik të Ervis Shkurtës.
Efektivi i Operacionales mësohet se para hetuesve ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale, por provat deri tani tregojnë se ai prej kohësh kishte njohje me ta dhe është i përfshirë në shkëmbimin e drogës, duke përfituar shuma të mëdha parash. Roli i Shkurtës ishte që të siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale. Jo vetëm kaq, por Shkurta dyshohet se kishte njohje dhe lidhje edhe me bandën kriminale të Ervis Martinajt.
Mbi të rëndon akuza e trafikut dhe shitjes së narkotikëve e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, Eneo Sulejmanaj dhe dy shokët e tij, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, ishin të përfshirë jo vetëm në trafikun e kokainës. Ata dyshohen si të implikuar edhe në trafikun e kanabisit në sasi të mëdha, lëndë të cilët e siguronin kryesisht në zonën e jugut. Antidroga e Tiranës, është duke punuar për të provuar përfshirjen e tyre. Sulejmanaj dhe anëtarët e tjerë të grupit, lëndën narkotike e shisnin kryesisht në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ndërsa kokaina që u sekuestrua nga policia, kishte ardhur nga Durrësi.
Lexo edhe: Në dijeni për trafikimin e 1 kg kokainë, AMP: Arrestohet efektivi i operacionales
AMP njofton se :
Një punonjës policie, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është arrestuar i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.