Grupi Parlamentar i PD-së u mblodh sot në një analizë pas zgjedhore , ku kreu Lulzim Basha u shpreh se këto zgjedhje ishin një shfaqje brutale e krimit të veshur me pushtet. Basha tha se dyshja Rama-Meta kandiduan njerëz të inkriminuar pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për t’u tërhqur. Kreu i PD-së listoi një sërë incidentesh që sipas tij vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve. Basha përmendi edhe Arben Frrokun i cili sipas, kryetarit të PD, mori si shpërblim arratisjen nga vendi për fushatën që bëri në Pukë.
“Në këto zgjedhje u dëshmua shfaqja brutale e krimit veshur me pushtet. Këto zgjedhje janë shënuar për aktin e paprecedentë të kandidimit të trafikantëve që dyshja Rama Meta i kandidoi pavarësisht thirrjeve të shqiptarëve për t’u tërhequr. Derdhjen marramendëse të fondeve të krimit për të blerë vota me ushqime, veshmbathje nëpërmjet kanosjes së votuesve të dyshuar si votues të opozitës, manipulimi n e listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive vecanërisht gjatë pasdites së 21 qershorit dhe nxjerrjes jashtë të komisionerëve të PD-së”, tha Basha.
“Ndonëse PD dhe aleatët ndërkombëtarë u angazhuan në dekriminalizim, dyshja Rama Meta kandiduan individë që ushtruan presion ndaj zgjedhësve dhe përdorën paratë e krimit në fushatë
Arben Frroku u përfshi në Pukë dhe si shpërblim mori ikjen jashtë vendit dy ditë para se të burgosej “ akuzoi kreu i PD-së qeverinë.
Duke përmendur një sërë incidentesh të konstatuara nga PD, Basha tha: “Kjo është një tablo e shkurtër por një rapor po përpilohet, se cfarë ka ndodhur e kanë thënë, po e thonë dhe do ta thonë ndërkombëtarët. Rama Meta vunë babëzinë e tyre për pushtet të pakufizuar”.
Kreu i PD-së u ndal edhe te fushata model e kandidatit Halim Kosova duke përshëndetur ambasadorin Donald Lu për letrën dërguar kandidatit të djathtë.
Basha theksoi se do bëjë një analizë të detajuar sa i takon rezultatit ndërsa përmbylli :"Do punoj me mish e me shpirt dhe nuk do ta tradhtoj besimin tuaj".