Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

ARMIKU I JASHTËM APO I BRENDSHMI?!

Shkruar nga Newsbomb
ARMIKU I JASHTËM APO I BRENDSHMI?!

Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al

Sikur të mos na mjaftonin hallet “e brendshme”, na u shtuan edhe ato “të jashtmet”. Siç ndodh në raste të tilla, kur ndodhia është e pazakontë dhe e vërteta e fshehur fort, opinioni ndahet në dy a më shumë pjesë të pozicionuara në ekstrem!

Në harkun e një ditënate, dy grupe të ndryshme “turistësh” kapen duke fotografuar ambiente të objekteve të degraduara ushtarake, sidoqoftë të ruajtura nga shteti.

A është e mundur që realisht të ketë një sfond spiunazhi pas këtyre ngjarjeve?

Po, është e mundur. Një grup detajesh e sugjerojnë këtë mundësi.

A është e mundur që të bëhet fjalë për një ngjarje ku në thelb janë thjesht pasionet “e çmendura” të disa aventurierëve, të cilët me dëshirë implikohen në situata të tilla delikate që shtojnë adrenalinë?!

Edhe kjo është krejtësisht e mundur.

Arsyeja e këtij shkrimi është risjellja në vëmendjen publike të një dukurie fatkeqe në lidhje me debatin mediatiko-publik: trajtimi sipërfaqësor dhe mosmarrja me thelbin e problemit që ngjarje si këto ngrenë. Lexoj diskutime dhe komente që sugjerojnë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas tyre, këto ngjarje tregojnë se armiku i jashtëm po shfaqet kërcënues dhe konkret për skenare lufte në territorin tonë. Qetësohuni miq! Nuk ka asnjë rrezik të shtuar. Për më tepër ne nuk kemi asgjë në dorë në lidhje me mbrojtjen, atë ia kemi besuar Aleancës me emrin NATO.

Shqetësimi i vetëm që kjo ngjarje indukton, sipas meje, është rikonfirmimi i mungesës apo dobësisë së shtetit. Ndjehem i keqardhur sa herë dëgjoj ministra që përpiqen të mbrojnë pamundësinë apo paaftësinë e tyre në raport me problematika shpesh banale.

“I kishim nën vëzhgim”, u shpreh ministri “i luftës”. Seriozisht? Po sulmi ndaj ushtarëve? Po nëse ata do t’i kishin vrarë ushtarët, për çfarë vlen vëzhgimi?!

E frikshme është vetëm lehtësia me të cilën të huajt vijnë, lëvizin, veprojnë e ikin nga ky vend! A e imagjinoni dot sikur “aventurierë” si këta t’u afrohen ujësjellsave, spitaleve, hidrocentraleve apo objekteve të tjera të rëndësisë së veçantë?!

A e imagjinoni dot sikur grupe turistësh të mbetjeve (trash tourism) të depërtonin brenda inceneratorëve dhe të fotografonin? Paskëtaj, lajmi do të përhapej dhe e gjithë Bota do të habitej për vdekje... Megjithatë, kam bindjen se inceneratorët janë institucione që ruhen me rreptësi, sidomos tashmë që janë objekt hetimi nga prokuroria speciale.

Miqtë e mi! Armiku i jashtëm është i egër dhe i rrezikshëm, por armiku i brendshëm është akoma më i dëmshëm. Ai nuk të pushton me armë, por të mashtron me fjalë e të vjedh me lezet. Pak nga pak. Ditë për ditë. Kjo gjendje të acaron e të revolton kaq shumë, sa ndonjëherë të vjen të rrëmbesh pushkën dhe... të luftosh me armikun e jashtëm, se boll më! Boll e duruam armikun e brendshëm!

Sondazh

Poll