Hapësire reklamuese

Aktualitet

Arkëtimet e larta të TVSH-së nuk nxisin rimbursimin, rënie vjetore me 63% në 4-mujor

Shkruar nga Newsbomb
Arkëtimet e larta të TVSH-së nuk nxisin rimbursimin, rënie

Arkëtimet buxhetore nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar shënuan rritje vjetore me 14% në muajin prill dhe 21% përgjatë gjithë katër mujorit, por në të njëjtën kohë qeveria ka ulur ritmet e rimbursimit të TVSH-së në mënyrë të ndjeshme.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë muajit prill 2022 u disbursua vetëm 6.4% e arkëtimeve bruto të TVSH-së nga 20.6 për qind e TVSH-së bruto që u rimbursua vitin e kaluar në prill. Për të gjithë 4-mujorin, u rimbursua 5.9 % e TVSh-së bruto nga 19.5% që u rimbursua në 4-mujorin e parë të vitit 2021.

Rimbursimi i TVSH -së në prill ishte 64% më i ulët se në prillin e vitit 2021, ndërsa për të gjithë 4-mujorin u rimbursua 63 % më pak TVSH.

Vitin e kaluar rimbursimi i TVSH lidhet me dy arsye themelore. Para zgjedhjeve të përgjithshme të 26 prillit 2021 ndodhën flukse jo të zakonta të pagesave. Pas zgjedhjeve ritmet mujore të rimbursimit u ulën, por gjithsesi ishin më të larta se, vitet e kaluara.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Janar – dhjetor 2021, janë rimbursuar në total 24,101 milionë lekë, rreth 46 % më shumë se në 2020 (nga 15,608 milionë lekë e rimbursuar ne 2020) dhe rreth 42% më shumë se plani 2021 (17,000 milionë lekë).

Vitin e kaluar janë miratuar dhe rimbursuar 1,244 kërkesa me një rritje 23 % krahasuar me 2020, pa llogaritur detyrimet me marrëveshjet që Tatimet kanë me disa nga kompanitë e mëdha të investimeve, që përfitojnë vlera të larta rimbursimi.

Të dhënat e katër-mujorit të parë të vitit 2022 tregojnë se nuk po mbahen të njëjtat ritme të rimbursimit.

Sipas ligjit, personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).

Ligjit thotë se, nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve të mësipërme, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër.

Gjithashtu kur një shumë e paguar më tepër rimbursohet, kamatëvonesa paguhet për periudhën nga 30 ditë pas bërjes së pagesës më tepër deri në kryerjen e rimbursimit./Monitor.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu