Hapësire reklamuese

Politikë

Portret i paautorizuar, Argita Berisha, rikthimi në politikë i “Berishës” 4

Shkruar nga Newsbomb
Portret i paautorizuar, Argita Berisha, rikthimi në politikë i

Nga Anta Muçaku

Sali Berisha është përballë një beteje me drejtësinë, që do të jetë e gjatë. I izoluar nga ndërkombëtarët dhe i kufizuar nga liria, atij duket se nuk i ka mbetur shumë për të bërë ndërsa shumëkush mendon se ky është momenti për një lider të ri në Partinë Demokratike. Në një vend të vogël si Shqipëria, shpesh vendimet e mëdha qarkullojnë bisedave të njerëzve të thjeshtë.

E në fakt, shumë prej pasardhësve në politikë janë zbuluar më herët në popull, sesa ata vetë të zyrtarizoheshin. Në diktaturë, njerëzit shihnin si pasardhës të Enver Hoxhës, më të heshturin e Byrosë Politike, Ramiz Alinë dhe jo të dytin në radhë, Mehmet Shehun.

Fatos Nano u bë kryeministër në vitin 1991, sepse njerëzin besonin se ai do të ishte pasardhësi i Ramiz Alisë. Kur Edi Rama kërkoi me ngulm të kandidonte për Bashkinë e Tiranës në vitin 2000, njerëzit flisnin për ambicien e tij për të marrë drejtimin e PS. Dhe atëhere kur një riosh 30 vjeçar u pa në zyrat e Partisë Demokratike ende në opozitën e parë, njerëzit nisën të flasin se do ishte pasardhësi i Sali Berishës.

Ai ishte Lulzim Basha dhe njerëzit kishin qëlluar në shenjë. Intuita e njerëzve të thjeshtë nuk gabon asnjëherë dhe aq më tepër në një shoqëri ballkanase kur gjërat fliten e fliten shumë më përpara se të ndodhin.

PREZANTIMI I ARGITËS

Argita Malltezi (Berisha) është rrethuar gjithnjë nga një lloj misteri. Vajza e Sali Berishës, njeriut që ka dominuar politikën shqiptare në 30 vitet e fundit, ka pasur gjithnjë ndikim të fortë brenda familjes së saj. Madje, siç pranoi vetë në daljen e fundit e ndër të rrallat në ekran, ajo ia kishte prezantuar Sali Berishës, rioshin Lulzim Basha me të cilin ishin njohur në Kosovë. Dhe ashtu siç shumë thonë, Basha u bë pasardhës pikërisht sepse ishte rekomanduar nga Argita.

Gjendja e pashpresë në kampin e opozitës dhe Partisë Demokratike shoqëruar dhe me sulmet e forta të ndërkombëtarëve dhe drejtësisë me akuzë për korrupsion, ka ndryshuar mjaft edhe qëndrimet e Sali Berishës. Arrestimi i dhëndrit të tij, e ka bërë të mendojë për njeriun të cilit do i lerë trashëgimi ‘krijesën’ e tij, Partinë Demokratike. Emri është Argita Berisha! Të paktën këtë pëshpërisin në kafenenë e famshme të Toptanasve ngjitur me selinë e Partisë Demokratike.

Dalja plot besim në debat televiziv, fjalimi në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, pjesëmarrja në festën e themelimit të PD më 11 Dhjetor, janë disa shenja parapërgatitje që nuk i shpëtojnë një syri të kujdesshëm. Vajza e madhe e Berishës po bëhet gati të marrë në dorë trashëgiminë më të madhe të babait të saj, forcën politike.

Përtej kompjeksit të “një partie familjare”, dhe një tensioni që ka nisur të ndjehet në selinë e demokratëve, Argita Malltezi shihet si kandidatja ideale që mund të marrë frerët e PD-së pas vitit 2025. Profesioniste në fushën e saj, nënë e 4 fëmijëve, bashkëshorte e përkushtuar, me një kthjelltësi politike dhe artikulim të qartë mendimi. Por a mjaftojnë të gjitha këto që Argita të ngjitet në krye të kupolës së PD?

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg sot dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese