
Argita Malltezi i është bashkuar protestës së thirrur nga babai i saj, Sali Berisha.
Vajza e ish-kryeministrit ka mbërritur pak minuta më herët në ambientet e jashtme të Parlamentit, aty ku kanë nisur të grumbullohen protestuesit.
Teksa me dhjetëra demokratë janë mbledhur jashtë ambienteve të Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij brenda. Para pirgut me karrige që deptutetët e opozitës i kanë vendosur përpara foltores së Kuvendit, Berisha u shpreh se mazhoranca është frikësuar nga ky aksion opozitar i cili do të vazhdojë deri në rrëzimin e kësaj qeverie.
Në një lidhje direkte në llogarinë e tij në “Facebook”, ish kryeministri Berisha tha se ditën e sotme pas një vendimi antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e mazhorancës dhe mbështetësit e Lulzim Bashës do të votojnë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e tij, duke menduar kështu se do të mposhtin opozitën.
Sipas Berishës ky është një akt i shëmtuar dhe një krim, teksa ka theksuar se qeveria gabon nëse mendojnë se kështu do të mposhtin opozitën e cila sipas Berishës është më e fortë dhe e bashkuar se asnjëherë më parë.
“Opozita e të drejtave të mohuara në aksion” është logo e protestës së thirrur nga Berisha. Ndërkohë, nga ana tjetër deputetët e mazhorancës të cilëve priten t’i bashkohen dhe demokratët që mbështesin kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, do të trajtojnë shqyrtimin e kërkesës për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK, oo ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës.
LEXO EDHE: Berisha tha se s’do i lejonin, Nikolla dhe socialistët shkojnë dy orë para në Kuvend
Me 6 vota pro Këshilli i Mandateve i hapi rrugën më 18 dhjetor kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e privatizimti të ish-kompleksit Partizani. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, ishte i vetmi përfaqësues nga opozita i cili bashkoi votën e tij me pjesën tjetër të anëtarëve socialistë për t’i hapur rrugën lëshimit të autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/ heqjen e lirisë së Berishës.
Sakaq, mbrëmjen e djeshme u depozituan në Kuvend edhe dy raportet e anëtarëve të Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugë për ndryshimin e masës së sigurisë për Berishës. Njëri raport është nga mazhoranca, ndërsa raporti tjetër është i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili ishte edhe i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet e përpiluara në Këshillin e Mandateve kërkojnë dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës.