Ardian Çapja, i akuzuar nga Prokuroria Speciale SPAK si urdhërues i vrasjes së babë e bir (Gentian dhe Nezir Beqiri) në vitin 2012, kërkon t’i ndryshohet masa e sigurisë. Në ditët e para të prillit 2021, Gjykata dha ndaj Çapjas masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Ndërkohë, përmes avokatit të tij, Ardian Çapja ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshimin e masës, në një vendim më të lehtë. Trupa gjykuese do të mblidhet sot dhe do të vendosë për të.
Kush është Ardjan Çapja
53 vjeçari njihet si një person me ndikim në qytetin e Elbasanit, dhe i përfshirë në disa ngjarje kriminale, në të shumtën e rasteve si “shënjestër” atentatesh. Ardjan Çapja u ka mbijetuar 4 atentateve, i fundit i ndodhur në qershor 2020.
Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit
Gentian Beqiri ka qenë dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Ai qëndronte në shtëpinë e tij në Elbasan dhe ruhej nga Policia. Si i përfshirë në këtë vrasjes është ekstraduar nga Italia Etien Cani.
Duke qenë se ky i fundit ishte shok fëmijërie me Beqirin, ai u lejua nga efektivët e Policisë që të futej në shtëpinë e tij. Aty, u ekzekutuan Gentian Beqiri dhe babai i tij Nezir Beqiri. Po në lidhje me këtë vrasjes, është arrestuar në Greqi në 2020 shtetasi Jorgo Leku.
Jorgo Leku, 41 vjeç, i njohur edhe me tre identitete të tjera si Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou është vënë në pranga nga Interpol Athina pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për vrasjen e 15 gushtit 2012.
Sipas Policisë, Ardian Çapja dhe Florenc Çapja, në vitin 2012 dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).