Hapësire reklamuese

Aktualitet

Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja

Shkruar nga Newsbomb
Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish-kreun e Gjykatës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e marrë më 26 qershor të 2023 për ish-kreun e Kushteuese, Bashkim Dedja.

Për rrjedhojë Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 6 muaj burg të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Përmes një njoftimi për mediat Apeli i GJKKO bën me dije se "vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Bashkim Dedja, për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim."

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese akuzohet për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.”

Indicja për të dhe disa gjyqtarë të tjerë u mor nga procesi i vettingut. Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjeti se Bashkim Dedja kishte “në pronësi pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht dhe njëkohësisht nuk ka deklaruar plotësisht pasuritë në përdorim të tij. Për këtë arsye, nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”.

Bashkim Dedja e kaloi fazën e parë të vetingut me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me mendimin në favor të kryesueses Valbona Sanxhaktari dhe anëtarit të trupit gjykues, Roland Ilia. Ndërkohë, relatorja e çështjes Xhensila Pine votoi kundër konfirmimit të tij në detyrë.

Por, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u apelua nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për kriterin e pasurisë, duke arsyetuar se vendimi nuk ka qenë i bazuar në prova.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 17 dhjetor 2018 shkarkimin e Bashkim Dedjes.

Komunikim për Mediat

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 13.02.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 6/63 akti, datë 06.12.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Bashkim Dedja, kundër vendimit nr. 43, datë 26.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bashkim Dedja, për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
  2. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin B.D., për një periudhë kohore prej 1 (një) vit, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës të vendbanimit të tij, si dhe të mos kryejë vepër penale tjetër.

    3. Në mbështetje të neneve 393 dhe 485/3 të K.Pr.Penale shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur të paguhen nga i pandehuri…

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 43, datë 26.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese