Hapësire reklamuese

Aktualitet

Apartamenti i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, shteti e kthen në "qendër arti"

Shkruar nga Newsbomb
Apartamenti i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, shteti e kthen në

Një apartament rreth 70 m2 në qytetin bregdetar të Durrësit, ndodhur në vijën e parë të pallateve buzë detit dhe në pronësi të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, është kthyer nga shteti në qendër për artin dhe aktivizimin, mëson ekskluzivisht newsbomb.al.

Sot, në inagurimin e saj ka qenë dhe vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar nga kreu i Agjencisë së Pronave të Sekuestruara, drejtori i Policisë së Durrësit dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, i cili ka kontribuar në transformimin e tij.

Redaksia mëson se bëhet fjalë për pasurinë e paluajtshme nr.39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr.8518, e llojit apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr.432 Rep dhe nr.221 Kol, datë 19.03.2012.

Duke qenë se ish-kryeprokurori i Shqipërisë e ka humbur betejën me drejtësinë, prona e konfiskuar me kërkesë të SPAK dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme, i ka kaluar shtetit shqiptar, raporton newsbomb.al.

Aktivistët e angazhuar në Durrës, falë ndihmës së dhënë nga "Partners Albania" dhe me financim nga Bashkimi Evropian, kanë vendosur që apartamentin e Adriatik Lallës ta kthejnë në një “Qendër Arti dhe Aktivizmi”, e cila nga sot është e hapur për të gjithë qytetarët.

Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg dhe 5 vite përjashtim nga shërbimet publike, për fshehjen e pasurisë në tre episode, në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi ai u largua nga vendi dhe zgjodhi të mos përballej me drejtësinë. Ai ndodhet në shtetin italian, ku është raportuar dhe se ka marrë azil.

“Autoritetet italiane kanë konfirmuar se procesi gjyqësor me objekt ekstradimin e shtetasit shqiptar Adriatik Llalla është në vazhdim e sipër…,” ka thënë Prokuroria e Posaçme një vit më parë. Megjithatë, edhe përse kanë kaluar më shumë se dy vite e gjysmë, ish-numri një i akuzës shqiptare nuk është ekstraduar.

Lexo edhe: Pronat e bllokuara të krimit do i gëzojnë familjarët e dëshmorëve të policisë

Adriatik Llalla nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7.000 dollarë për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë të shtëpisë në Tiranë, si dhe shkollimin e vajzës së tij në Gjermani. Pasi dënimi mori formë të prerë, pasuritë u konfiskuan dhe i kaluan në pronësi shtetit. Pasuritë e konfiskuara të ish-kryeprokurorit Llalla:

  1. Pasuria e paluajtshme nr.39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr.8518, e llojit apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr.432 Rep dhe nr.221 Kol, datë 19.03.2012;
  2. Pasuria e paluajtshme nr.64/40, zona kadastrale nr.3091, volume 3, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², blerë me kontratën nr.972 Rep dhe nr.546 Kol, datë 05.12.2016;
  3. Pasuria e paluajtshme nr.64/61, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 198, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.316 Rep dhe nr.187 Kol, datë 15.03.2017;
  4. Pasuria e paluajtshme nr.64/62, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 199, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.315 Rep dhe nr.186 Kol, datë 15.03.2017;
  5. Pasuria e paluajtshme nr.64/58, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.573 Rep dhe nr.376 Kol, datë 15.05.2017.

Adriatik Llalla është kryeprokurori i parë shqiptar dhe ndër zyrtarët e parë të lartë që u dënua me burg nga institucionet e reja të drejtësisë. Ai dhe familja e tij janë shpallur “non grata” në SHBA dhe ambasadori i kohës Donald Lu, e ka cilësuar publikisht Adriatik Lallën si “peshk i madh”.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese