Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD nuk do të mbahet pasditen e kësaj të premteje. Edhe pse na ndajnë pak minuta nga ora 16.00 kur kryetari Enkelejd Alibeaj kishte njoftuar takimin, mësohet se ajo është anuluar.
Anulimi i kësaj mbledhje, sipas PD-së është bërë për faktin se PS ka ndryshuar qëndrim lidhur me negociatat që tashmë po zhvillohen me opozitën për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Përshëndetje! Pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes se Presidentit, mbledhja e sotme e grupit nuk do të zhvillohet! Ju faleminderit!”, thuhet në mesazhin e dërguar deputetëve të PD-së.
Grupi parlamentar demokrat diskutoi dje për 3 orë për emrat e kandidatëve për President që do t’i shkojnë maxhorancës për votim në Parlament. 26 deputetë ishin të pranishëm në diskutimet e drejtuara nga Alibeaj.
Pritej që në mbledhjen e sotme të bëhej një analizë më e thelluar e emrave dhe nga 8 që janë, të bëhej të përgjysmim i tyre. Në këto kushte, raundi i dytë i bisedimeve për zgjedhjen e Presidentit rrezikon të digjet.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është vendosur më datë 23 maj, të hënën, por më parë emrat e opozitës duhet të shkojnë në Komisionin e Ligjeve.