Vazhdojnë reagimet nga pala greke pas vendimit të GJKKO për të dënuar me dy vite burg, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Bleri. Pas Ministrisë së Jashtme në Greqi, radhën për një reagim të ashpër e kishte ish-kryeministri Antonis Samaras.
Lexo edhe: Ministria e Jashtme e Greqisë për dënimin e Belerit: Presim gjykim të drejtë në Apel
Ai jo vetëm që ka dënuar vendimin e marrë nga Gjykata për Belerin, por thotë se ky është një vendim provokues që tregon përbuzje ndaj rregullave të së drejtës në Bashkimin Europain.
“Dënimi i Belerisit jo vetëm që provokon Greqinë, por tregon përbuzje ndaj rregullave dhe të drejtave të BE-në. Prandaj, Shqipëria e sotme e Ramës nuk ka vend në Europë”, tha ai në një deklaratë zyrtare.
Lexo edhe: Gjykata lë në qeli Fredi Belerin, dënohet me 2 vite burg kryebashkiaku i Himarës
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën 2 vite burg për kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të 2023-it. Gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë GJKKO vendosi mos zbatimin e masës së kërkuar nga SPAK, me 2.6 vite burg ndaj Belerit.
Ndërsa, për bashkëpuntorin dhe mikun e Belerit, Pandeli Kokaveshin, gjyqtarja Atalanta Zeqiri, e dënoi me 1.6 vite burg, të cilat t’i konvertohen në 3 vite shërbim prove. Kjo masë u vendos për Kokaveshin pasi ai dhe fëmija i tij i mitur kanë probleme shëndetësore.
Fredi Beleri ra në pranga më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe bashkëpuntori i tij, Pandeli Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës. Nga hetimet e kryera u mësua se një agjent i infiltruar i Policisë ka përgjuar pazaret që Beleri ka bërë me persona pranë shtabit të tij.
Pavarësisht se ndodhet në qeli Beleri arriti të merrte më shumë vota se kandidati i socialistëve Jorgo Goro, duke u mandatuar nga KQZ si kryetari i Bashkisë së Himarrës. Mirëpo, ende nuk i është lejuar që të betohet. Theksojmë se çështja “Beleri”, mos lejimi i tij për t’ u betuar ka shkaktuar tensione me fqinjët. Që prej aso kohe kur kryebashkiaku i Himarës ra në pranga, pala greke ka ashpërsuar tonet ndaj vendit tonë. Në dhjetëra deklarata Athina zyrtare ka theksuar se nëse Shqipëria pengon Belerin të marrë detyrën, do të ketë pasoja lidhur me procesit të anëtarësimit. Ndër të tjera, ata janë shprehur se arrestimi i Belerit një ditë para votimeve, interpretohet si frikësimi votuesve, dhe se mbajtja në burgosje është një shkelje e procesit të rregullt ligjor.