Agjentët e Antidrogës në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Departamentin Opetativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave gjatë mbrëmjes së djeshme kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku kanë bërë të mundur dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Edmond Xhaja 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Arrestimi në flagrancë i 48 vjeçarit u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në Portin e Durrësit në automjetin tip Benz, kamionçinë, me targa AA 143 NC, që ai drejtonte, në brendësi të ngarkesës me konfeksione, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 100 pako me rreth 130 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarit të firmës së konfeksioneve, shtetasin A.X. 50 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi i mësipërm është organizatori i trafikimit të lëndës narkotike me destinacion Italinë.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale”Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë parashikuar nga neni 283/a/2 dhe 22 të Kodit Penal.