Hapësire reklamuese

Aktualitet

Anita Jella kryeprokurore e Durrësit dhe Genti Xholi kryeprokuror i Apelit të Tiranë; Vendimet që mori sot KLP-ja: 4 Prokurori mbeten pa drejtues (E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
Anita Jella kryeprokurore e Durrësit dhe Genti Xholi kryeprokuror i Apelit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot dhe në rend dite ka pasur disa çështje, që lidhen me ngritjen në detyrë të prokurorëve të disa Prokurorive në vend, kryesisht në postin e drejtuesit.

KLP me shumicë votash ka vendosur që Anita Jella dhe Genti Xholi të emërohen kryeprokuror, specifikisht e para si drejtuese e Prokurorisë së Durrësit dhe i dyti si drejtues i Prokurorisë së Apelit Tiranë.

Ndërkohë, në disa Prokurori të tjera magjistratët që kishin kërkuar ngritje në detyrë (në rolin e drejtuesit) kanë dhënë dorëheqjen për arsye të ndryshme, apo KLP ka vendosur të mos i emërojë ata.

Mbledhja e sotme është zhvilluar në prani të 10 (dhjetë) anëtarëve dhe në mungesë të Kryetarit të Këshillit, z. Gent Ibrahimi si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT. Ajo është drejtuar nga Zv/ Kryetari i Këshillit, z. Alfred Balla.

Vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë:

1- Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit z. Sali Hasa, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë.  Gjatë procedurës së verifikimit, kandidati Sali Hasa ka depozituar kërkesën dt. 10.05.2021, drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në të cilën i ka kërkuar Këshillit, heqjen dorë nga kandidimit për arsye shëndetësore.

2- Pasi u njoh me vendimin e arsyetuar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit  (KPA) drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me të cilin është vendosur ndryshimi i vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit Artan Madani, Këshilli vendosi me shumicë votash, ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit z. Artan Madani, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë.

Gjithashtu, Këshilli vendosi unanimisht përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë.

3- Si rezultat i dorëheqjes së kandidatit të vetëm ne garë, z. Gentian Habazaj, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat.

4- Pasi u njoh me relacionin mbi verifikimin e pasurisë dhe figurës për prokurorin Albert Murçaj, kandidat për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Albert Murçaj dhe të lejojë kandidatin të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Shkodër.

5- Me shumicë votash, Këshilli vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar, prokurorit Saimir Bahiti. Një kopje e këtij raporti i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK)  dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

6- Këshilli vendosi me 10 (dhjetë) vota pro, miratimin e relacionit për fillimin e procedurave për plotësimin e pozicionit vakant të Këshilltarit për Etikën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këshilltari për Etikën shërben me kohë të pjesshme për një periudhë pesë vjeçare, duke filluar nga data e emërimit, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Gjatë periudhës që do të shërbejë si Këshilltar për Etikën. Ulja e ngarkesës do të vendoset në bashkërendim me drejtuesin e prokurorisë nga ku vjen kandidati për Këshilltar për Etikën.

7- Këshilli vendosi unanimisht të caktojë znj. Anita Jella në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe z. Genti Xholi në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë për një periudhë 3 (tre ) vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Sot, me emërimin e të dy drejtueseve, Këshilli vendosi të ndërpresë caktimet e përkohshme si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë. Deri tani, Këshilli ka arritur të emërojë në detyrë 4 (katër)  Drejtues prokurorie; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

8- Në përfundim të mbledhjes, shorti ka caktuar si relator për procedurën e ngritjes në detyrë për pozicion vakant të Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, zotin Vatë Staka.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll