1 milionë euro pasuri në pronësi të tre trafikantëve shqiptarë të drogës, të prangosur në Milano, janë sekuestruar nga Policia në Durrës. Bëhet fjalë për pasuritë e shtetasve Syrjan Tola, Dorian Beu dhe Emirjan Beu, ky i fundit me nofkën "Noizy".
Edhe në përgjimet e dy grupeve kriminale që SPAK dhe Prokuroria Italiane shkatërroi në fillim të vitit 2023, doli se shtetasi Emirjan Beu përdorte pikërisht pseudonimin "Noizy", gjatë bisedave për sasi të mëdha kokaine.
Pasuritë me vlerë mbi 1 milion euro ishin në pronësi të këtyre 3 shtetasve dhe familjarëve të tyre.
*Pamjet e operacionit te ketij viti nga Europol, per goditjen e grupeve ku bente pjese dhe Emirjan Beu
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me partnerët italianë, u bë i mundur lokalizimi në Milano, dhe vënia në pranga e 3 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
- Emirjan Beu, 32 vjeç, Syrjan Tola, 43 vjeç dhe Dorian Beu, 44 vjeç.
Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Highëay”, të iniciuar në Itali, në vitin 2017, këta shtetas akuzohen si pjesëtarë të një grupi kriminal me veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Mbi bazën e kësaj akuze, si dhe në zbatim të vendimit nr. 395, të datës 05.10.2023, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u gjurmuan dhe u sekuestruan në Durrës, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre. Këto pasuri, me vlerë mbi 1 milion euro, dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 3 shtetasve të vënë në pranga.
Lexo edhe: EMRAT/ Kush janë 3 bosët shqiptarë që drejtonin grupin kriminal të drogës Itali-Shqipëri
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “Sekuestro preventive”, për pasuritë si vijojnë: 2 shoqëri tregtare me objekt fushën e peshkimit, së bashku me asetet e tyre, aktivitetet tregtare të 3 subjekteve fizike, së bashku me asetet e tyre, 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, 1 njësi shërbimi bar-kafene dhe 3 njësi të tjera shërbimi të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme, për veprime të mëtejshme.