Njoftimi i plotë - Agjencia e Mbikëqyrjes Policore:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin A. XH., me detyrë mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “Fallsifikim i dokumenteve shëndetësore” dhe “Shpërdorim detyre”. Vendimi ka ardhur pas një hetimi disa mujor me metoda speciale nga Drejtoria e Hetimit në AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë. Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A. XH. dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjekësor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë. Gjithashtu është provuar se mjeku i arrestuar kryente fallsifikimin e raporteve mjeksore, duke lëshuar raporte mjekësore për studentët në kohë të mëparshme. Ai gjithashtu i lëshonte raporte mjekësore personave të tretë pa qenë prezent dhe pa kryer vizitën mjekësore. Për sa më sipër, hetimet vijojnë në gjendje të lirë edhe në ngarkim të 45 studentëve/kursantëve, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.Sondazh
Poll