Hapësire reklamuese

Politikë

 “Amnistia e vjedhjes së shekullit,” Berisha: 130 mln euro u zhdukën pa nam e nishan

Shkruar nga Newsbomb
 “Amnistia e vjedhjes së shekullit,” Berisha: 130 mln euro

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur lidhur me urdhërarrestet e lëshuara nga SPAK për 15 persona, që dyshohet se kanë lidhje me aferën e inceneratorin e Tiranës.

Me anë të një komunikimi për mediat, Berisha tha se ajo që ndodhi me djegësin e Tiranës ishte amnistia e vjedhjes së shekullit.

Sipas Berishës SPAK  shpalli amnistinë ndaj vjedhjes së shekullit nga Erion Veliaj, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, për aferën e cila shkon në total 1 miliard euro.

Kreu i PD, thekson se dy zyrtarët e Bashkisë së Tiranës që kanë në pranga, Taulant Tusha dhe Simixhiu, janë caktuar për dhënien me koncesion të djegësit të kryeqytetit.

Me nota ironie Berisha thotë se të besosh që Tusha dhe Simixhiu janë përgjegjësit kryesorë, është sikur të besosh që Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, ishin në këtë rast drejtorë bashkie, kurse Tusha dhe Simixhiu ishin kryeministër dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Pjesë nga deklarata e Sali Berishës

Ashtu siç kisha paralajmëruar në mënyrën më të përsëritur në këë sallë, ndodhi amnistia e vjedhjes së shekullit, akti më kriminal në historinë e drejtësisë shqiptare.

Dje, ose mbrëmë, Skapistët pas apoteozës dhe nxjerrjes së dhëmbëve njëkohësisht të Edi Ramës, shpallën amnistinë ndaj vjedhjes së shekullit nga Erion Veliaj, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, për aferën e cila shkon në total 1 miliard euro. Për aferën e djegësit të Tiranës që shkon në 30 vite, 1 miliard euro dhe që janë shpenzuar gjer sot rreth 130 milionë euro, pjesa dërrmuese të parave të taksapaguesve, kurse pjesa tjetër, para të biznesmenëve të detyruar nga Rama dhe Veliaj.

Këto nga Skapi dhe gjykata e partisë, u amnistuan.

U amnistuan edhe njëherë them në aktin më kriminal. Ata që amnistuan dje me vendimin e tyre për të arrestuar dy drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Tusha dhe Simixhiu, ata kryen një krim të shëmtuar.

Amnistia, në çdo kohë është atribut i parlamentit dhe jo kurrë i gjykatësve apo i prokurorisë. Ajo që ndodhi mbrëmë është akti më i pashembullt në tërë historinë që nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot.

Taulant Tusha dhe Simixhiu, janë dy zyrtarë të bashkisë, të caktuar nga bashkia në komisionin e dhënies me koncesion të djegësit të Tiranës. Në këtë komision, ata kanë vendosur që një kompani imagjinare, e cila nuk ekzistonte, një kompani fantazmë e quajtur Integrated Energy, e paregjistruar kund, t’i japin 8 pikë bonus pa garë, për djegësin e Tiranës.

Por ky është vetëm fillimi i historisë. E vërteta është se vendimi i KVO të Tiranës, e miraton me firmën e tij më datën 7 dhjetor 2016, në një vendim qeverie Edi Rama, Engjëll Agaçi, Artur Metani.

E miratojnë vendimin, kryejnë krimin në gjakftohtësi të plotë sepse ishin të lajmëruar me shkresë zyrtarë nga ministrja Ermonela Felaj se kompania në fjalë nuk ekzistonte. Kompania Integrated Energy BV nuk ekzistonte.

Por ky njoftim me shkresë i një ministre, anëtare të kabinetit, nuk do pengonte Edi Ramën të firmoste me çdo çmim, shpërblimin me 8 pikë të një kompanie që nuk ekzistonte dhe që do të formohej 8 muaj më vonë, një ditë pasi shpallej fituese.

Tani, të besosh se Tusha dhe Simixhiu janë përgjegjësit kryesorë, është të besosh se Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, ishin në këtë rast drejtorë bashkie, kurse Tusha dhe Simixhiu ishin kryeministër dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Krimi i tmerrshëm ndodhi, me pasojë deri tani grabitjen e 130 milionë eurove, të zhdukura pa nam e nishan, jo pse firmosi Tusha dhe Simixhiu, por se firmosi Rama, Agaçi, Metani dhe ministrat.

Pra, nuk ka amnisti më kriminale sesa kjo.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese