
Nga Xhoi Jakaj, ish-Drejtore e IEVP Ali Demi Tiranë
"Amnisti e munguar" dhe të drejtat e liritë themelore të personave në konflikt me ligjin!
Ka disa vite që mungon amnistia për të dënuarit e të gjitha veprave penale.
Numri i lartë i të dënuarve, dhe kushtet e rënda të banimit, strehimit, lagështirës dhe infrastrukturës tejet të amortizuar në disa IEVP e bëjnë edhe me të domosdoshme miratimin me shumicë votash të 1-2 amnistive brënda një viti në burgje , kushtet janë përmirësuar disi vitet e fundit, ama tek shumë prej tyre ka vite që lëngojnë e nuk njohin përmirësime për shumë arsye që nuk po i listoj te ky shkrim!
Personalisht nëse do isha në pozicionin e Ministrit të drejtësisë, dy amnisti do kërkoja brënda një viti, pastaj Parlamenti Shqiptar e ka fjalën e tij nëpermes votës.
Zbatimi i një amnistie ka disa përfitime nga individi dhe shteti, thënë kjo edhe për faktin se diku te 55 dollar i kushton në 24 orë, i dënuari shtetit, por jo pak kosto ka edhe për familjen që ka një person të burgosur apo në paraburgim!
Mos të harrojmë që në sistemin penitenciar ka minorenë, të rinj, të moshuar, një numër i madh të sëmurësh kronikë dhe me sëmundje të rënda, përpos numër shumë i lartë të dënuarish në dhoma e në pamundësi totale nga stafi i punonjësve në burgje për t’i rregulluar në bazë të moshës, për shkak të infrastrukturës së dobët që paraqitet në rreth 40-50 % e burgjeve në Shqipëri.
Me të njëjtin ligj trajtohet një prodhues i lëndëve narkotike, një përdorues dhe nuk përjashtohen në më të shumtën e rasteve nga zbatueshmëria e ligjeve të ashpra as personat me sasi të vogla droge të kapura në trafikim apo përdorim.
Po çfarë është amnistia për ata që nuk e njohin këtë term, amnistia është një fjalë që rrjedh nga greqishtja (ἀμνηστία, amnestía) e që në shqip nënkupton harresën, fshirjen nga kujtesa. “Fshirja e krimit” nga kujtesa e institucioneve ligjzbatuese, është e mundur në fakt, kjo konsiston në heqjen dorë nga ana e shtetit të ndjekjes penale të disa krimeve, kundërvajtjeve të caktuara.
Në këtë rast bëhet fjalë për një parashikim të përgjithshëm faljeje, që në gjenezën e saj është frymëzuar nga arsye oportuniteti politik dhe pajtimi social, ndërsa në ditët e sotme amnistia konsiderohet edhe si një instrument për të zvogëluar “mbipopullimin e burgjeve”.
Për këtë arsye sugjerohet që “fshirja e kujtesës” për krime të caktuara të ndodhë edhe në Shqipëri, duke pasur parasysh situatën dhe gjendjen e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe paraburgimit, e mbi të gjitha, kategori të caktuara të dënuarish e paraburgosurish siç janë gratë, vajzat, të miturit dhe të sëmurët terminalë. Duke sjellë në vëmendje ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale të hyra në fuqi më datë 01.08.2017, e konkretisht shfuqizimin e nenit që parashikonte lirimin para kohe për arsye shëndetësore, tashmë është qeveria dhe Kuvendi që nëpërmjet ligjit për amnistinë duhet t’i japin zgjidhje kësaj problematike që më parë është zgjidhur nga gjykatat.
Përveç politikave penale të caktimit dhe masës së dënimit që zbatojnë gjykatat, krahas me to dhe pa rënë në kundërshtim me njëra-tjetrën, qeveria dhe Kuvendi kanë të drejtën të zbatojnë politikat e tyre nëpërmjet ligjit për amnistinë.
Kjo në tërësi është edhe një rregullator perfekt, nëse ka shkelje të të drejtave të dënuarve nga gjykatat apo vendimet e tyre të padrejta për veprat e lehta penale dhe shtresat vunerabile e në pamundësi ekonomike. Por, kurrsesi nuk duhet të nënkuptojë që meqenëse qeveria e Kuvendi e kanë këtë të drejtë kushtetuese të vendosin sipas oportunitetit politik apo privilegjit për kategori të caktuara dhe kjo të përdoret politikisht (si psh., rasti i amnistisë nga ndjekja penale të politikanëve në Rumani, që ngjalli protesta popullore).
Në mënyrë që ligji për amnistinë të japë efektet dhe të përmbushë qëllimin e tij humanitar është e nevojshme kryerja e një studimi të mirëfilltë paraprak nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, përpara se të dilet në përfundimin nëse do të ketë apo jo ligj për amnistinë.
Më poshtë po sjell në vëmendje përcaktimet ligjore për dhënien e amnistisë.
-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 81 parashikon të drejtën e Këshillit të Ministrave, çdo deputeti, si dhe 20 mijë zgjedhësve për të propozuar ligje.
-Ligji për amnistinë miratohet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, duke u vendosur në një nivel me ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta, ligjin për shtetësinë, ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore, ligjin për referendumet, kodet, ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme, ligjin për statusin e funksionarëve publikë dhe ligjin për ndarjen administrative të republikës.
Nga ana tjetër, në nenin 151 të Kushtetutës parashikohet se çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
-Referuar këtyre parashikimeve kushtetuese si dhe rëndësisë që Kushtetuta i jep ligjit për amnistinë, nuk mund të shtrohet për t’u votuar me referendum, duke marrë parasysh ndjeshmërinë që kanë të dënuarit, të paraburgosurit, personat nën hetim apo të dyshuarit për një vepër penale dhe të afërmit e tyre, ata kanë të drejtë të kërkojnë amnisti, por Kushtetuta ia ka dhënë të drejtën për ta votuar ligjin për amnistinë vetëm Kuvendit me një shumicë të caktuar 3/5-tat dhe jo popullit me referendum!
Në këtë aspekt, si nga ana e propozuesve të ligjit, ashtu edhe nga ana e miratuesve të tij, duhet patur parasysh qëllimi i ligjit për amnistinë dhe fryma e tij.
Qëllimi i ligjit për amnistinë mund të përshkruhet si krijim i një infrastrukture ligjore, e cila synon krijimin e një ambienti të qëndrueshëm në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit.
Miratimi i këtij ligji duhet të synojë të ketë si efekt pozitiv realizimin e qëllimit të dënimit, po ashtu të ndikojë pozitivisht edhe në risocializimin dhe riintegrimin e personave të dënuar për kategori të caktuara të veprave të lehta penale.
Ndaj, si një ish-drejtore burgu grash që kam parë shumë vajza e gra vulnerabile dhe të pamundura nga ana financiare të paguajnë avokat, por ndiqen me avokat kryesisht të caktuar nga shteti, sepse në shumë raste janë të braktisura nga familjet e sugjeroj vit për vit amnistinë për vepra penale të lehta, pasi dënimi në Kodin Penal është shumë i lartë për gratë, të sëmurët terminalë, të miturit, etj. Personalisht mendoj se amnistia e përgjithshme, pra për të gjithë të dënuarit është e gabuar dhe shpesh përdoret nga politika, në kundërshtim me politikën penale që ndjekin gjykatat në vend.
Por stoku i madh i dosjeve prej 5 vitesh për shkak të vetingut, i vjen në ndihmë edhe shfryrjes në një fare forme të burgjeve nga disa të dënuar apo të paraburgosur që nuk përbejnë rrezik për shoqërinë.
Si një ish drejtuese burgu dhe paraburgimi të grate dhe vajzat, jam e mendimit se amnistia duhet të zbatohet, në disa vepra penale pasi përveçse ul mbipopullimin, ka një efekt shumë social në shoqëri, nëse amnistia trajtohet në këtë formë dhe nuk përdoret politikisht.
Por në çdo rast amnistia duhet miratuar sepse ul kostot e familjeve dhe shtetit.
Të të gjithë komponentet po ta marrësh një amnisti e munguar gjatë shkakton më shumë dem se dobi në shoqeri!