Hapësire reklamuese

Bota

Amnesty International: Protestuesit në Iran u dhunuan dhe abuzuan seksualisht

Shkruar nga Newsbomb
Amnesty International: Protestuesit në Iran u dhunuan dhe abuzuan

Forcat iraniane të sigurisë i kanë përdorur dhunimin dhe llojet e tjera të abuzimit seksual për t’i frikësuar protestuesit gjatë luftës së shtetit kundër protestave gjithëkombëtare, të cilat nisën shtatorin e kaluar me moton: “Gra, Jetë, Liri”, tha Amnesty International në një raport më 6 dhjetor.

Dhuna seksuale u përdor kundër grave, burrave dhe fëmijëve, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, i cili dokumentoi vuajtjet e tmerrshme të 45 të mbijetuarve.

Në mesin e të intervistuarve në raport ishin 26 burra, 12 gra dhe shtatë fëmijë, ndaj të cilëve forcat iraniane të sigurisë kryen dhunë seksuale.

Asnjë zyrtar iranian nuk është akuzuar deri tani, apo përndjekur për krimet seksuale kundër protestuesve të burgosur, thuhet në raport.

Gratë iraniane u kanë prirë protestave gjithëkombëtare, të cilat u nxitën nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin policor në shtator të vitit të kaluar. Amini ishte arrestuar në Teheran, për shkak se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet hixhabin.

Lëvizjes së protestave iu bashkuan shumë burra dhe djem të zemëruar nga kufizimet dekadëshe fetare dhe mënyrat e tjera shtypëse ndaj grave nga teokracia e Iranit.

Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë. Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara.

Katër gra dhe dy burra u dhunuan në grup nga anëtarët e forcave të sigurisë.

Shkopinj metali dhe druri, shishe qelqi dhe zorra uji ishin përdorur për t’i dhunuar të burgosurit në qendrat e paraburgimit dhe automjetet e policisë, si dhe në shkolla dhe në ndërtesa banimi.

Shumica e viktimave nuk ishin ankuar kundër dhunuesve nga frika për hakmarrjes, sipas Amnesty, e cila shtoi se edhe në rastet e rralla kur viktimat u treguan prokurorëve për tmerrin që përjetuan, ato u injoruan. //Marre nga REL/.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese