Hapësire reklamuese

Politikë

Amerikanët s’njohin Lulzim Bashën, vlerësojnë grupin e Gazment Bardhit

Shkruar nga Newsbomb

Demokratë e socialistë u bashkuan në Amerikë! Në kuadër të vizitës së tyre në SHBA, delegacioni parlamentar shqiptar zhvilluan një takim në Departamentin e Shtetit me zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ashtu si dhe shihet në foto, pjesë e delegacionit shqiptar janë socialistët Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Denis Deliu dhe Blerina Gjylameti. Ndërsa, demokratët janë përfaqësuar nga dy deputetët, të cilët janë pozicionuar krah ish-kryeministrit Sali Berisha, Dhurata Çupi dhe Gazment Bardhi. I pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati.

Ajo që bie në sy është fakti se askush nga mbështetësit e Lulzim Bashës nuk ka qenë pjesë e deputetëve delegatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pavarësisht se kreu i PD, Lulzim Basha ka deklaruar herë pas here se qëndrojnë pranë aleatëve të tyre amerikanë, SHBA si duket njeh si  përfaqësues të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin e si rrjedhojë partinë e cila po udhëhiqet nga Sali Berisha, duke qenë se deputeti prej muajsh është bërë palë me ish-kryeministrin.

Pra, mosprezenca e përfaqësuesve të Lulzim Bashës në këtë takim mes deputetëve shqiptarë dhe Escobar, lë të kuptohet që amerikanët kanë vendosur tashmë që do të vijojnë bashkëpunimin me palën tjetër të kësaj force politike, me atë të Gazment Bardhit.

Delegacioni parlamentar shqiptar gjatë takimit me Gabriel Escobar Delegacioni parlamentar shqiptar gjatë takimit me Gabriel Escobar

Më herët, lidhur me këtë takim reagoi dhe vetë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Përmes një postimi në rrjetet sociale Bardhi ritheksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati kyç i shqiptarëve.

“Gjatë vizitës në Washigton DC, zhvilluam një takim në Departamentin e Shtetit me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor z. Gabriel Escobar. SHBA mbetet aleati ynë kyç dhe shqiptarët janë me fat që i kanë në krah. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, duhet ti qëndrojë standardeve të një vendi demokratik dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE”, shkruan ai.

Gjithashtu edhe Ambasada e SHBA në Tiranë u shpreh e kënaqur për këtë takim të zhvilluar. Përmes një njoftimi zyrtar ambasada shkruan se është: Kënaqësi të shohësh përfaqësues të zgjedhur shqiptarë në Uashington së bashku për të punuar për çështje të rëndësishme për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin e fortë me Shqipërinë dhe përfaqësuesit e saj të zgjedhur në çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Populli shqiptar meriton një demokraci të fortë, të shëndetshme, ku të gjithë aktorët politikë punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit.

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese