Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith ka zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, ambasada e Britanisë së Madhe zbardh një pjesë të temave të cilat janë diskutuar gjatë takimit.
Ambasada tregon se gjatë takimit u diskutua mbi progresin pozitiv të arritur gjatë vitit 2023 të përmbledhur në raportin vjetor të gjykatës.
“Ambasadori britanik, Alastair King-Smith zhvilloi diskutime produktive me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Ata diskutuan mbi progresin pozitiv të arritur gjatë vitit 2023, siç theksohet në raportin vjetor të Gjykatës dhe perspektivën për Reformën e Drejtësisë në Shqipëri.
Ata theksuan rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për të mbështetur sundimin e ligjit dhe aspiratat e qytetarëve shqiptarë. Ata ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin mes Gjyqësorit të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”- thuhet në postimin e ambasadës së Mbretësisë së Bashkuar.