Petraq Pojani, ambasador i Shqipërisë në disa vende europiane dhe përfaqësues i vendit në misione të ndryshe diplomatike, është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të premteje, më 22 korrik. Newsbomb.al mëson se diplomati Pojani vuante nga një sëmundje e rëndë e cila e kishte munduar prej vitesh.
“Njoftohet me hidhërim të thellë nga familja e tij se sot, datë 22 korrik 2022, ditë e premte, në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të gjatë, u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare z. Petraq Pojani”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga familja.
“Ka lënë në pikëllim veçanërisht bashkëshorten e tij, Keti Panduku (Pojani), si edhe dy vajzat, Ariana Pojani (Fuga) dhe Iris Pojani me bashkëshortët e tyre, respektivisht Artan Fuga dhe Saimir Dhamo, si edhe mbesën Alba dhe nipin e tij Enea.
Ndajmë këtë lajm të hidhur me të afërm dhe pjesëtarë të fisit të të ndjerit, me shok e miq e kolegë që ai ka bërë gjatë jetës dhe karrierës së tij të gjatë profesionale si ambasador, diplomat, drejtues shërbimesh të jashtme të shtetit shqiptar, disa herë përfaqësues i interesave jetike të Shqipërisë në forumet më të larta ndërkombëtare, përkthyes, këshilltar i lartë diplomatik…“, vijon njoftimi, i ndarë nga akademiku Artan Fuga.
Përsa i përket ceremonisë së nderimit, trupi i Petraq Pojanit do të vendoset nesër, ditën e shtunë, datë 23 korrik 2022, në sallat e Hotel Internacional, pas ndërtesës të ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, dhe familja pret ngushëllime nga ora 17.00 deri në ora 18.30. Më pas, kortezhi do niset për në varrezat e Shishtufinës dhe varrimi do të bëhet në ora 19.00.
Kush ishte diplomati Petraq Pojani
Petraq Pojani ka lindur në Tiranë më 19 korrik të vitit 1935. Kreu studimet në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë gjatë viteve 1954-1960. Pas kryerjes së studimeve fillon punë ne Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga viti 1961 deri në vitin 1980 është anëtar i Delegacionit Shqiptar në sesionet e AP të OKB-së dhe nga viti 1971-73 është këshilltar në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork.
Në vitin 1980 emërohet drejtor i Drejtorisë së Organizatave Ndërkombëtare dhe më pas, ambasador i Shqipërisë në Francë, akredituar edhe në Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Portugali dhe UNESKO. Nga viti 1983-‘87 është sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme dhe më pas deri në ’90-n, është drejtor i Drejtorisë së Bashkëpunimit Shumëpalësh, koordinator për Bashkëpunimin Ballkanik.
Më pas emërohet ambasador në Belgjikë dhe i akredituar në Holandë dhe Luksemburg, shef i Misionit të Shqipërisë pranë Komunitetit Evropian. Merret me veprimtari private gjatë viteve ‘93-‘97 dhe më pas kthehet në diplomaci si anëtar i Këshillit të Ambasadorëve pranë MPJ. Ministrat e kanë preferuar si këshilltar të tyre për shkak të eksperiencës 40-vjeçare në diplomaci.