Selia diplomatike në Tiranë kujton sot, më 5 shtator, shenjtërimin e misionares shqiptare Nënë Tereza. Në këtë ditë, shtatë vite më parë botës ju shtua një shenjtore dhe ajo ishte Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.
"Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, bota kremton jetën dhe punën e jashtëzakonshme të Nënë Terezës (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu), misionares dhe murgeshës së famshme shqiptare, fitueses së çmimit Nobel për Paqe, shenjtores. Shqipëria sot kremton gjithashtu Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
Kjo ditë na kujton vlerën e bamirësisë, vullnetarizmit dhe dhembshurisë për tjetrin. Është kujtesë për ndikimin e pabesueshëm që ka dashuria dhe kujdesi për të tjerët, duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës, e cila ia kushtoi jetën e saj njerëzve në nevojë", thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka caktuar 5 shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.