Ambasada e SHBA në Tiranë vlerëson Gledis Nanon, nga sot ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Selia diplomatike thotë se ai ishte një partner i fortë i Amerikës di kreu i Policisë Shqiptare dhe më parë si kreu i Antiterrorit.
“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA.
Kujtojmë se, afro një vit më parë kur Gledis Nano mori detyrën, ka qenë Ambasada Amerikane që e ka rekomanduar emrin e tij te autoritetet përgjegjëse shqiptare. Madje, pak kohë para se të emërohej në krye të Policisë, Gledis Nano mori një vlerësim nga Qeveria Amerikane.
Ambasadorja Yuri Kim i dorëzoi një Çmim Vlerësimi Gledis Nanos, në atë kohë Drejtor i Anti-Terrorizmit në Policinë e Shtetit. Çmimi e vlerësonte Nanon për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta të Ambasadës Amerikane me Policinë e Shtetit për të luftuar terrorizmin global.
Në certifikatën e dorëzuar shkruhej “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”.