Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ka lëshuar deklaratën e fortë duke bërë me dije se një prokuror është kërcënuar.
Gjatë takimit të parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”, Dumani ka pohuar se krimi i organizuar ka kërcënuar me jetë familjen e një prej prokurorëve, duke mos dhënë më tepër informacione lidhur me këtë. Kreu i SPAK, thekson se njerëzit e drejtësisisë janë imunë dhe të përgatitur për t’i përballuar këto situata.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi , sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që ti përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyre”, mësohet të ketë thënë Dumani sipas gazetares Anila Hoxha.
Sakaq, i pyetur nga pjesëmarrësit në këtë takim se deri ku do të shkojë SPAK në hetimet për zyrtarët e larë, ai u përgjigj shprehimisht: “Nuk do kursejmë askënd”, duke theksuar kështu se SPAK po vijon punën për hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimit të organizuar.
“Për vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Është e vështirë, por jo e pamundur. Rezultatet na stimulojnë dhe na nxisin që të punojmë akoma më shumë”, tha kreu i SPAK ndër të tjera.
Ndërsa, lidhur me ngritjen e një komision parlamentar të propozuar nga PS, ku thuhet se do të monitorojë edhe SPAK, Dumani tha se kjo gjë nuk do të ndodhë dhe është në kuadrin e thashemethemeve.
“Pavarësisht se çfarë flitet dhe thuhet, ne realisht nuk kemi ende një dokument që të lexojmë dhe të shikojmë se cila do të jetë qasja lidhur me reformën në drejtësi. Këtu për të bërë ndryshime e për të ngritur komisione, por përsa kohë nuk ka një dokument, nuk kam një qëndrim. Nëse do të ndodhë, patjetër do të kemi reagim institucional. Për mendimin tim, është e paimagjinueshme të bësh ndryshime në reformën në drejtësi kur reforma vazhdon ende.
Vetting-u s’ka mbaruar ende. KLGJ, KLP janë ende të pakonsoliduar. SPAK ka nevojë dhe për dy prokurorë. Para se të shkosh atje, duhet bërë një analizë. Por, kjo është në kuadrin e thashethemeve, sepse s’kam parë ende dokument. Ndaj s’kam qëndrim.
SPAK është institucioni më i kontrolluar në republikë, më i kontrolluari. Në aspektin procedurial, kontrollohemi nga tre shkallë, mos harrojmë gjyqtarin paraprak, çdo gjë bëhet me vendim gjykate. Ne raportojmë në Komisionin e Ligjeve atje, ka diskutime e debate. Kjo është marrëdhënia me parlamentin. KLP e raportojmë atje. ILDKPI kontroll pasuritë”, mësohet të ketë thënë kreu i SPAK.