Hapësire reklamuese

Politikë

Alibeaj: Jam braktisur nga PD-ja

Shkruar nga Newsbomb

Enkelejd Alibeaj që është larguar nga PD-ja, thotë se nuk e braktisi ai PD-në, por kjo forcë politike e ka braktisur atë.

‘’Për pasojë ndihem i panevojshëm apo i padobishëm, së paku përgjatë këtij procesi. Kjo nuk është braktisje, por të ndihesh i braktisur’’, kështu e komenton Enkelejd Alibeaj largimin nga Partia Demokratike.  

Për të, caktimi si koordinator në Tepelenë e Memaliaj për zgjedhjet vendore, nuk ishte vendimi i duhur nga Basha, pasi  nuk ka çfarë u ofron demokratëve të zonës.Sipas Alibeajt, vendosja si koordinator në këto zona, nuk do t’i sillte asgjë të mirë PD-së, sepse nuk mund të maksimalizojë votat e demokratëve.

“Në gjykimin tim, koordinatori këtë mbështetje e rrit vetëm në ato territore ku ka milituar politikisht , sepse njeh njerëzit , njeh problematikën, kupton ndjesitë e tyre, e kështu rikrijon marrëdhënien e besimit midis publikut dhe formacionit politik që ai përfaqson. Në rastin tim, ndaj publikut të Tepelenës dhe Memaliajt, me gjithë dashamirësinë për demokratët e asaj zone, nuk kam ç’tu ofroj në termat e mësipërm të maksimizimit të votave.”, tha Alibeaj për gazetën ‘’Panorama’’.

Ish-ministri I Drejtësisë komenton edhe një arsye më shumë pse u largua nga PD: nuk është vlerësuar në raport me kontributin që ka dhënë.

“ Kam ndjesinë e fortë se në rastin tim ka një disproporcion mes kontributit tim, performancës sime dhe peshës politike që ofron angazhimi që më është caktuar. Mora mbështetje jo të paktë qoftë në garën brenda Këshillit Kombëtar, e qoftë në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, rezultate këto që nuk duhet të vlejnë thjesht për përkëdhelje të sedrës.’’, u shpreh Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj ishte rivali kryesor i Arben Ristanit në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike për Sekretar të Përgjithshëm e më parë ai ishte zgjedhur si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ishte caktuar koordinator për zgjedhjet në PD në qytetin e Vlorës, ku drejtues i shtabit për zgjedhjet vendore do të jetë numri dy i PD-së, Arben Ristani.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu