
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur një reagimi të mëhershëm të kryeministrit Edi Rama, për arritjen e dakordësisë mes Rithemelimit të Berishës dhe PS, për normalitetin e jetës parlamentare.
Ai i kujton Ramës marrëveshjen e bërë në vitin 2008 me Sali Berishën, për ndryshimet kushtetuese që impaktuan direkt politikën, dhe thotë se asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo kohë kur pazarin e bëri me Berishën.
"Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që Rama po bën pazar për Reformën Zgjedhore. Vetëm një gjë ama duhet pranuar se e ka thënë drejt: asgjë nuk ka ndryshuar!
Asgjë nuk ka ndryshuar me 2008 kur pazarin e beri po me Non Grata-n. Asgjë nuk duan të ndryshojnë: listat të mos i hapin; diaspora të mos votojë; të marrin mandate gratis në tavolinë.
Mund të jeni 3 hapa para me spërdredhje siç keni bërë për 30 vjet në kurriz të shqiptarëve por mos harroni se shqiptarët shkelmin e kanë gati", shkruan Enkelejd Alibeaj, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.
Më herët këtë të mërkurë, Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale hedh poshtë se PS ka bërë marrëveshje me “nongratën”, duke iu referuar grupit të Berishës, teksa thotë se kanë arritur një marrëveshje për komisionet që janë të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Lexo edhe: Dakordësia për komisionet hetimore, Rama: Idiotët thonë se kemi bërë pazare me nongratën
Nga diskutimi mes palëve dje në Konferencën e Kryetarëve është dakordësuar paraprakisht që opozita të marrë dy komisione hetimore, atë për ndërhyrjen në sistemin TIMS dhe koncesionet në fushën e shëndetësisë, si dhe pjesëmarrje të barabartë në një strukturë të posaçme që do të përshpejtojë procesin e kalimit të ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave.
Opozita ka kërkuar gjithashtu nga mazhoranca që të rishikojë projektligjet që kolegët opozitarë kanë depozituar në Kuvend, por që nuk janë marrë parasysh muaj më parë për shkak të kaosit dhe jetës së trazuar parlamentare mes palëve.