Enkelejd Alibeaj ka thënë përsëri sot se kanë qenë socialistët ata që u tërhoqën nga marrëveshja për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai foli pas mbledhjes që pati sot me të vetët në selinë e PD, ku një pjesë kërkuan që opozita të tërhiqet nga negociatat.
I pyetur se me çfarë tagri kishte mbledhur sot deputetët, Alibeaj u përgjigj “Si kryetar i Grupit Parlamentar. Këto “e njof nuk e njof” për mua janë të kaluara.” Sipas tij, nëse mazhoranca pendohet “në 12 të natës” edhe ata do të jenë gati.
“Ne i qëndruam të gjitha detyrimeve tona sipas dokumentit. Pala tjetër u tërhoq. Po ta lexoni dokumentin është fare i thjeshtë, nëse tërhiqeni marrëveshja bie. Nëse atyre u ndërron mendja në 12 të natës, në 12 të natës ne do të jemi gati për atë dokument.
Mbledhjet e Grupit Parlamentar bëhen këtu, përcaktohet pjesëmarrja dhe kourumi. Ne e dimë që jemi opozitë. Kemi këto mandate që kemi. Dilema që duhet të kemi ne është kjo: o t’u ikim betejave ose bëjmë betejë. Betejë do bëjmë dhe për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Territoriale”, u shpreh Enkelejd Aliebaj, kryetar i Grupit të PD..