Hapësire reklamuese

Aktualitet

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit reagon pas deklaratave të Sorecas: Ambasadori ka zgjedhur të rreshtohet në krah të Ramës

Shkruar nga Newsbomb
[caption id="attachment_263626" align="alignnone" width=""]Protesta per Teatrin ngta Aleanca per Mbrojtjen e Teatrit [/caption]

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka reaguar pas deklaratave të bëra sot në lidhje me çështjen e Teatrit nga ana e Ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca-s.

Në faqen zyrtare të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, theksohet se Ambasadori Soreca ka zgjedhur të rreshtohet në krah të Edi Ramës dhe Shkëlqim Fushës dhe kundër artistëve, intelektualëve dhe qytetarëve.

Sipas Aleancës për Teatrin, deklarata nënkupton mbështetje për një procedurë të paligjshme dhe korruptive për rrëmbimin nga ndërtues privatë të një trualli publik, siç është në këtë rast zona e Teatrit Kombëtar.

Më herët gjatë ditës së sotme, ambasadori Soreca ia hodhi përgjegjësinë autoriteteve shqiptare përsa i përket çështjes së Teatrit. Sipas tij, Teatri është një çështjë shumë e rëndësishme dhe delikate, por edhe e politizuar.

Postimi i plotë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:

'Pozicioni i Aleancës në lidhje me deklaratat e sotme të Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideron të pajustifikuar, të panevojshme dhe të dëmshme deklaratën e sotme të Ambasadorit të BE-së, z. Luigi Soreca. Deklarata nënkupton mbështetje për një procedurë të paligjshme dhe korruptive për rrëmbimin nga ndërtues privatë të një trualli publik në një nga zonat më të lakmuar të Shqipërisë.

Fatkeqësisht, Ambasadori Soreca është përpjekur t’i japë legjitimitet një tenderi fiktiv, me fitues të paracaktuar, për një zhvillim privat që do të financohet nga para me origjinë të dyshimtë. Pohimet e Ambasadorit Soreca janë jashtë kompetencës së tij dhe përtej statusit të tij diplomatik. Por mbi të gjitha, ato bien ndesh me interesin publik, shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë, për fuqizimin e të cilave taksapaguesit evropianë kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë qindra milionë euro.

'Ligji special' i teatrit shkel Konventën Aarhus për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendim-marrjen; shkel parimet kushtetuese të autonomisë lokale dhe të barazisë para ligjit; si dhe ligjet e prokurimit publik dhe të konkurrencës. Ligji është apeluar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti, por mungesa e saj i ka dhënë pushtet absolut qeverisë të miratojë dhe zbatojë ligje antikushtetuese pa asnjë kontroll apo kufizim institucional.

Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë kanë luajtur rol kryesor në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndaj do të ishte e pritshme nga Ambasadori Soreca t’i bënte, sot, thirrje qeverisë që të ndalonte zbatimin e projektit të Teatrit deri në shqyrtimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Do kishte qenë gjithashtu shenjë e përunjësisë dhe përgjegjësisë së Ambasadorit ndaj shqiptarëve që ai të përpiqej të kufizonte sa të mundej pushtetin arbitrar që ka fituar Kryeministri, si pasojë e paralizimit të sistemit gjyqësor.

Reforma në Drejtësi ishte e domosdoshme dhe me qëllimet e duhura, por për shkak të keqplanifikimit dhe keqzbatimit të saj ne ndeshemi sot më rrënimin thuajse total të sistemit gjyqësor, e cila ka krijuar edhe çështje si ajo e Teatrit Kombëtar.

Fatkeqësisht, Ambasadori ka zgjedhur të rreshtohet në krah të Edi Ramës e Shkëlqim Fushës, dhe kundër artistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të ndershëm të Tiranës dhe Shqipërisë.

Na mbetet të urojmë që ky rreshtim i tillë të mos jetë asgjë tjetër veç një gjykim i dobët i Ambasadorit, dhe i bëjmë thirrje atij që të rimendojë pozicionin bazuar vetëm në fakte dhe në vlerat demokratike që ai duhet të përfaqësojë', shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu