Kryeministri ALbin Kurti ka urdhëruar inspektim të përgjithshëm në disa institucione të Kosovës, të cilat duhet të garantonin jetën e Hamdie Magashit, gruas 35 vjeçare që u vra në derën e maternitetit nga ish-burri. Ajo u vra dje ndërkohë që sot do të lindte.
“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr. Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur”, shkruan Kurti.
Më tej, kryeministri i Kosovës tregon se në cilat institucione ka urdhëruar inspektim. “I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, shkruan prerazi Albin Kurti.
“Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale;
inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar.”