Gjykata e Beratit ka dhënë masën “arrest me burg” për Talo Çelën, në mungesë.
Bëhet me dije se dosja për Talo Çelën pritet që t’i kalojë kompetencës së SPAK-ut. Çela është i shpallur në kërkim prej disa kohësh dhe akuzohet për krime të rënda. Ai dyshohet për atentatin ndaj Irfan Azizit.
Talo Çela është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia pasi Gjykata e ka dënuar në mungesë për grabitjen e 4.6 milion eurove në barkun e një avioni në Aeroportin e Rinasit. Ai bashkë me 7 persona të tjetër është futur një vit më parë në pistën e aeroporit të Rinasit dhe në momentin kur paratë e disa bankave po futeshin në barkun e një avioni për tu dërguar jashtë vendit, ata nën kërcënimin e armës kanë kryer grabitjen dhe janë larguar.
Por Talo Çela akuzohet gjithashtu dhe si personi që ka vrarë dy vëllezërit Haxhia në Durrës, më datë 27 prill 2020, te tregu i makinave. Sipas policisë, Talo Çela dyshonte se vëllezërit Haxhia kishin informacion se ku fshihej shuma e parave të grabitura në Rinas. Ai iu ka kërkuar atyre që të tregojnë vendin se ku fshihej ajo shumë parash, por ata kanë refuzuar.
Sipas Policisë, Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.