
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri refuzon të dëshmojë në gjykatë si i pandehur. Për këtë arsye senaca gjyqësore është shtyrë më datë 19 dhjetor,ora 14:30.
Gjatë senacës, Beleri tha se nuk ka besim te prokuroria, pasi në dosje ka dokumente të falsifikuara.
“Do të dëshmoja po të kisha besim po në dosje ka dokumente të falsifikuara’- u shpreh Beleri.
Ndërsa në Gjykatë janë lexuar deklarimet e Abdyl Ramës të dhëna në qershor dhe ditën e arrestimit të Belerit. Ai tha se disa persona që janë prezantuar si miq të Belerit, i kanë ofruar azil politik për të tërhequr padinë.
“Pak ditë pas arrestimit të Belerit më kapën në Himarë dy persona që më kërkuan të tërhiqnin deklarimet e tij dhe të vëllait Arsen Rama. Ata thanë se janë miqtë e Belerit. Nëse do të tërhiqni deklarimet do t’i sigurojmë azil politik për vëllain në Greqi.
Në nje ditë tjetër duke ikur në Livadh me motor më preu rrugën një person dhe që në duar dukej sikur mbante një armë më ka kërcënuar dhe sharë greqisht nga nëna që më ka vdekur.
Që kur u arrestua Fredi Beleri ne na ka falimentar biznesi sepse nuk na ble më njeri peshk si dhe në Himarë nuk na flet më njeri,” mësohet të ketë thënë Abdyl Rama.
Dëshmitari kryesor i këtij proces Abdyl Rama rezulton sipas sistemit TIMS të jetë larguar nga Shqipëria më 22 korrik dhe nuk është kthyer më.
Jashtë senacës, avokati i Blelerit ka mohuar akuzat dhe dhe tha se dy vëllezërit Rama janë persona të dënuar nga drejtësia.
“Nuk ka asgjë tjetër veçse deklaratës së dy vëllezërve të dënuar. Ata duke qenë disa herë të dënuar. Kanë lidhur një plakë në Durrës ata. Janë dënuar disa herë dhe i përdor policia”, tha ai.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.
Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.