
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reagur në lidhje me një artikull nga media greke "in.gr" e cila shkruan se gjyqtarja Irena Gjoka, e cila po gjykon çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, është arrestuar në Greqi për falsifikim dokumentash.
KLGJ me një reagim të fundit përgënjeshtron dhe njofton se lajmi që po qarkullon në mediat greke nuk është i vërtetë dhe se po vëren me keqardhje të madhe këto deklarime të përsëritura publike në media të cilat cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Njoftimi:
Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.
Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private.
Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë.
Artikulli në median greke: Gjyqtarja e Beleris, marrëdhënia e saj me Greqinë dhe “borxhi” ndaj Ramës
Gjyqi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili qëndron në paraburgim që në prag të zgjedhjeve në Shqipëri, në maj 2023, Fredi Beleri është kthyer në një lojë diplomatike mes Athinës dhe Tiranës. Një rast që Athina e ka lidhur me rrugën europiane të Shqipërisë dhe ka qenë cak i kritikave nga vendet e tjera anëtare të BE-së. Krahas lojës diplomatike në vazhdim, interesant është edhe përbërja e gjykatës, e sidomos historia jonë e tre gjyqtarëve që gjykuan Belerin.
Gjyqtarja
Historia e Irena Shpatës e bija e Hekuranit dhe Dallandyshes, e datëlindjes 15-2-1970. Irena Shpata e cila që nga viti 2011 përdor mbiemrin e bashkëshortit të saj aktual (të dytë) Gjoka. Dhe që sipas të dhënave ka “llogari të hapura” me Greqinë.
Arrestimi
Sipas dëshmive në të kaluarën Irena Shpata ishte arrestuar në Greqi për përdorimin e dokumenteve false me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke. Për këtë arsye, asaj iu ndalua hyrja në vendet e Shengenit për 12 vjet dhe të dhënat e saj së bashku me gjurmët e gishtërinjve u regjistruan në bazën përkatëse të të dhënave.
Falsifikim
Më konkretisht, Irena Shpata së bashku me bashkëshortin e saj të parë që mbante mbiemrin Maneku tentuan të hynin në Greqi më 24 dhjetor 2002 nga A.T. Kakavije duke përdorur një vizë konsullore të falsifikuar për sa i përket periudhës së vlefshmërisë. Nëse dikush kishte një vizë konsullore 100 ditore, ai mund të merrte një kartë identiteti speciale të emigrantit (EDTO) në Greqi.
Personi në fjalë kishte falsifikuar periudhën e vlefshmërisë së vizës konsullore për t'u dukur se ajo kishte një kohëzgjatje prej 100 ditësh, duke u përpjekur të tregonte se gjoja ishte nga Vorio-Epiri. Së bashku me bashkëshortin e saj në atë kohë, ata apeluan në një gjykatë administrative në Greqi. Kërkesa e tyre u refuzua.
Hyrja në gjykatën e korrupsionit
Në vitin 2019 Irena Shpata -Gjoka ka aplikuar për anëtarësim në gjykatën antikorrupsion GJKKO. Gjykata që po gjykon aktualisht Belerisin. Emërimet duhej të miratoheshin në parim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (i njohur në shqip si OMN), i cili përbëhej nga të huaj. Ky komitet konstatoi se Irena Shpata-Gjoka kishte kryer falsifikim dhe gjithashtu kishte problem dhe e pushoi nga puna. Më pas, megjithatë, ajo u kthye, pas ankimimit ndaj vendimit të Komitetit Ndërkombëtar të Provimeve dhe pasi komisioni i pavarur i vlerësimit të kualifikimeve (që është shqiptar) e pranoi atë, duke konsideruar se gjithçka është në rregull.
Paragjykimi
Nisur nga ky zhvillim Irena Shpata-Gjoka është, sipas shumë ndjekësve të çështjes, e kontrolluar nga Rama pasi i detyrohet mirënjohje që e vendosi në këtë pozicion pavarësisht falsifikimit.
Në të njëjtën kohë, sipas të njëjtave burime, mund të thuhet se ajo është e njëanshme negative ndaj Greqisë dhe kryebashkiakut minoritar Belerit. Vlen të kujtojmë se gjykimi i Fredi Belerit është caktuar të vazhdojë të martën, më 5 mars, me deklarimin e tij dhe përfundimin e procesit.
Reagimet dhe akuzat për gjyqtaren Irena Gjoka nga mediat greke janë pasi gjyqtarja është ajo që po gjykon çështjen e Fredi Belerit. Ata e akuzojne edhe se Gjoka është e njëanshme ndaj Greqisë dhe kryebashkiakut minoritar Belerit.
Seanca për Fredi Belerin vazhdon më 5 mars, ku pritet se do të dëshmojë dhe vetë Kryetari i Zgjedhur i Himarës. Avokatët e tij në seancën e fundit thanë se përgjimi për Fredi Belerin kishte nisur para se të hapej një hetim nga prokuroria, për këtë arsye procesi ndaj tij është i paligjshëm dhe i qëllimshëm.
Jo të pakta janë edhe akuzat nga ish-kryeministri Sali Berisha për gjytqaren Gjoka ku disa herë ka bërë kërkesë për përjashtimin e saj nga çështja e tij gjyqësore.
Jo ëm larg se dy ditë më parë, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj ka akuzuar sërish gjyqtaren Irena Gjokën, duke thënë se merr urdhra nga kryeministri Edi Rama.
Gjokutaj tha se gjyqtarja ka marrë përsipër të realizojë shumë urdhra politikë, pasi jo më kot ajo është pjesë e procesit gjyqësore të ish-kryeministrit Berisha, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri si dhe ndaj Fatmir Mediut.