Ministria e Arsimit ka reaguar pas publikimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendoi se teza e maturës për gjuhët e huaja i ishte shpërndarë mes nxënësve.
MASR e mohon një gjë të tillë, dhe thotë se këto janë akuza të qëllimshme që vijnë nga anëtarët e Partisë Demokratike sa herë që nis periudha e provimeve të maturës.
Reagimi i plotë:
“Periudha e maturës shtetërore përballet çdo vit me lajme të rreme për keqadministrim të testit nga ana e MASR. Këto dezinformime dalin kryesisht nga anëtarë të PD duke e përshirë edhe këtë proces plotësisht teknik, por të rëndësishëm për nxënësit, në betejën e ulët politike të opozitës.
Kjo nuk është aspak një gjë e re! Sa më rigoroz është testi dhe administrimi nga ana e MASR, aq edhe më të shpeshta janë dezinformimet e tyre, të cilat i dënojmë fuqishëm!
MASR nënvizon se do të vazhdojë të përmirësojë testin dhe administrimin e procesit deri në digjitalizimin e plotë të tij. Ky vit ka ardhur me risi sepse një pjesë e testeve do të vlerësohen për herë të parë elektronikisht duke shmangur gabimet njerëzore që mund të jenë bërë në vitet e kaluara, ndërkohë që janë shtuar edhe penalitetet për ata që do të mundohen të kopjojnë.
Njëkohësisht, falënderojmë edhe Policinë e Shtetit për ndihmën e saj në ruajtjen dhe shpërndarjen e testeve dje dhe sot.
Suksese të gjithë maturantëve në vijim për provimet e rradhës”, – thekson Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në deklaratë.