
Pas aktakuzës së paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Ai thotë se duhet të tregohet vetpërmbajtje në këto situata, ndërsa shprehet se e di që kanë ndodhur krime të tmerrshme, por duhet treguar kujdes në mënyrë që të mbrohet populli serb në Kosovë.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të përmbajtur. Ne e dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme. Në çdo gjë tjetër, duhet të tregojmë përmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo dhunë, incident dhe sulm”, ka thënë Vuçiç para mediave në Bruksel, ku po qëndron për vizitë zyrtare gjatë së cilës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë evropianë.
Kujtojmë se në datën 27 qershor ishte programuar takimi i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington, por u anullua për shkak të akuzave ndaj Thaçit dhe Veselit.