Gjykata e Posaçme ka vendosur sot të shuajë masën e sigurisë "Arrest në burg" për ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi. Ky shtetas është arrestuar rreth dy vite më parë, me vendim të datës 27 Mars 2022, për inceneratorin e Fierit.
Me kërkesë të këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme ka pranuar të bëjë shuarjen e dënimit dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të ish-drejtorit në Ministrinë e Mjedisit.
"Shuarjen e masës së sigurimit “Arresti në burg”, caktuar ndaj shtetasit Pëllumb Abeshi me anë të vendimit Nr.20 Akti, datë 27.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Pëllumb Abeshi nëse nuk mbahet i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi", thuhet në vendimin e shpallur sot në Tiranë, me datë 10.01.2024.
Lexo edhe: GJKKO pranon kërkesën, ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit lirohet nga burgu
Mirëpo, newsbomb.al ka konstatuar një gabim në këtë vendim të Gjykatës së Posaçme, pasi shtetasi Pëllumb Abeshi, i arrestuar në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit, për Inceneratorin e Fierit, NUK DUHET TË LIROHET NGA BURGU.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, ka pranuar kërkesën e Pëllumb Abeshit për liri, por thekson se lirimi i menjëhershëm duhet të kryhet nëse ky shtetas nuk mbahet i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale.
SHIKO KËTU: Njoftimi i SPAK mbi hetimet e kryera për inceneratorin e Fierit - 27.03.2022
Pëllumb Abeshit më datë 9 Dhjetor 2023 i është komunikuar në burg masa e re e sigurisë "Arrest në burg", për hetimet e Prokurorisë së Posaçme që lidhen me procedimin penal nr.255 të vitit 2020, që ka për objekt të hetimit veprimet e kryera për kontratën e koncesionit nr.6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, me vlerën e investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në shumën 128,248,330 Euro, pa TVSH.
Në këto kushte, newsbomb.al konstaton se ish-drejtori nuk mund të lirohet nga qelia sepse masa e sigurisë "Arrest me burg" për të cilën ai ka bërë kërkesë dhe i është pranuar sot, nuk ka lidhje me masën e re të sigurisë që Pëllumb Abeshit i është njoftuar një muaj më parë, për Inceneratorin e Tiranës.
Mbetet në dorë të Prokurorisë së Posaçme për të bërë verifikime të hollësishme për këtë shtetas dhe për të korrigjuar në kohë vendimin e dhënë sot nga Gjykata e Posaçme.
SHIKO KËTU: Njoftimi i SPAK mbi hetimet e kryera për inceneratorin e Tiranës - 09.12.2023