Komisioni Evropian ka deklaruar se Shqipëria ka aktivizuar “Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile” për shuarjen e zjarreve masive të përhapura këto dy ditë në zonën e Dropullit.
Në një postim në rrjetin social X, Komisioni ka bërë të ditur këtë fakt, ndërsa vijon duke thënë se Greqia ka dërguar 4 avionë të forcave zjarrfikëse për të ndihmuar dhe vënë nën kontroll flakët e shumta të përhapura në këto zona, duke bërë të mundur izolimin e plotë të vatrave të zjarrit.
Gjithashtu, Komisioni shton se ky është solidariteti i Bashkimit Europian, ndërsa thekson se janë të gatshëm në çdo kohë për të ofruar ndihmën e tyre, në rast se Shqipëria do e ketë të nevojshme.
“Shqipëria ka aktivizuar mekanizmin #EUCivilProtection për të trajtuar zjarret në Bashkinë Dropull. Greqia ka dërguar katër avionë zjarrfikës. Ky është solidariteti i Bashkimit Evropian në veprim. Ne jemi të gatshëm për mbështetje të mëtejshme të Shqipërisë nëse është e nevojshme”,- shkruhet në llogarinë zyrtare të rrjetit social, X të Komisionit Evropian.
Albania has activated the #EUCivilProtection Mechanism to tackle wildfires in the Dropull municipality.
— European Commission (@EU_Commission) July 10, 2024
Greece has sent four firefighting airplanes
This is #EUSolidarity in action. We stand ready to further support ???????? if needed.
Kujtojmë se zjarret në zonën e Dropullit vijojnë prej dy ditësh, ndërsa u mobilizuan për shuarjen e flakëve shërbimet zjarrfikëse të disa qyteteve si, Gjirokastrës, Dropullit, Përmetit, Tepelenës dhe Libohovës.
Gjithashtu, në ndihmë të forcave zjarrfikëse shkuan edhe forcat e armatosura, të cilët ndërhynë edhe nga ajri nëpërmjet helikopterëve, pasi terreni i thepisur po ngadalësonte punën e forcave për vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e tyre.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se në ndihmë për shuarjen e zjarreve në këto zona kanë shkuar edhe avionë nga forcat e Greqisë.
Përhapja masive e vatrës së zjarrit në këto zona shkaktuar dëme të mëdha në bimësi, pyje dhe kullota, ndërsa mbrëmjen e djeshme u raportua se ishin lënduar edhe dy punonjës të forcave zjarrfikëse gjatë operacionit për të shuar flakët.
Ato u dërguan në spital për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, ndërsa mësohe se gjendja e tyre shëndetësore aktualisht është stabile.