Dy të rinj në Durrës kanë rënë në prangat e policisë paraditen e sotme, pasi akuzohen se u merrnin para qytetarëve për parkingun falas të makinave.
Sipas policisë, shtetasit me iniciale A. M., 32 vjeç dhe M. G., 34 vjeç përfitonin para nga qytetarët në mënyrë të paligjshme, përmes pagesave për parkimin e automjetet në hapësira publike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Iu merrnin para qytetarëve që parkonin automjetet në një hapësirë publike që ishte përcaktuar nga bashkia, si vendparkim pa pagesë, arrestohen 2 shtetas.
Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme që kryejnë specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, në subjekte të ndryshme ekonomike, është goditur një tjetër rast i përfitimit në mënyrë të paligjshme, të pagesave për parkimin e automjeteve në hapësira publike.
Për këtë rast, janë vënë në pranga shtetasit A. M., 32 vjeç dhe M. G., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi iu merrnin para qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë e cila ishte përcaktuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.