Pesë ditë pas denoncimit për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi në Tiranë, Policia e kryeqytetit ka dalë këtë të martë me një njoftim zyrtar ku sipas hetimeve paraprake, hidhen dyshime të forta se i riu mund të jetë rrëmbyer dhe më pas vrarë. Në qendër të hetimeve ndodhen dy persona, një 41-vjeçar i shpallur në kërkim dhe një 25-vjeçar i arrestuar si i dyshuar për përkrahje të autorit.
Sipas burimeve zyrtare ngjarja ka nisur të marrë formë menjëherë pas kallëzimit të familjarëve më 4 qershor, kur Koçi u raportua i zhdukur. Që në orët e para, policia ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë dhe kontrollin në terren për të rindërtuar lëvizjet e fundit të tij.
Nga pamjet e sigurisë, i riu është fiksuar për herë të fundit duke lëvizur nga zona e Sheshit Wilson në drejtim të Bulevardit “Zhan D’Ark”. Hetuesit thonë se ai është parë teksa shkon pranë një lokali të një personi të njohur prej tij, ku më pas nuk ka dalë më.
“Nga ky moment humb çdo gjurmë të lëvizjes së tij”, bëjnë me dije burime nga grupi hetimor, duke shtuar se pamjet e kamerave kanë qenë kyçe për rindërtimin e itinerarit të fundit.
Sipas Policisë së Tiranës nga analizimi i provave dhe pamjeve filmike janë krijuar dyshime se 34-vjeçari mund të jetë rrëmbyer, ndërohë që Top Channel raporton se ai më pas mund të jetë vrarë nga shoku i tij i ngushtë Armand Shakaj, i cili tanimë është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Sipas hetimeve paraprake dyshohet se trupi i të riut mund të jetë transportuar me automjet dhe më pas të jetë zhdukur në një zonë ende të paidentifikuar. Policia është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe për të hedhur dritë më tepër mbi “fatin” e të riut dhe me atë çfarë mund të ketë ndodhur me të.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe 25-vjeçari Enea Zyferi i cili dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes dhe ka ndihmuar në përkrahje ne autorit pas krimit. Ai ka qenë i punësuar si kamarier në një ambient në pronësi të personit të dyshuar dhe ndodhej pranë vendit ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja.
View this post on Instagram
Një nga elementët ka ndihmuar hetuesit është gjetja e motorit të 34-vjeçarit. Sipas Policisë dyshohet se mjeti është zhvendosur nga zona ku ka ndodhur ngjarja drejt zonës së “5 Majit” ku është gjetur dy ditë pas zhdukjes.
Gjithashtu është sekuestruar dhe një automjet që dyshohet se është përdorur për transportimin e 34-vjeçarit ku dhe në të cilin janë gjetur dhe njolla gjaku.
Policia e Tiranës ka theksuar se hetimet janë duke vijuar dhe se të gjitha pistat mbeten të hapura, përfshirë dhe atë të aktivitetit të mundshëm të së riut në fushën e kriptomonedhave që po verifikohet.
Ndërkohë 41-vjeçari Armand Shakaj vijon të jetë në kërkim, ndërsa forcat policore po kryejnë kontrolle të zgjeruara në disa zona të kryeqytetit dhe rrethinave për të bërë të mundur lokalizimin e tij dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
