Një banor i lagjes “Kiras” në Shkodër, Edison Oruqi, rezulton i zhdukur prej katër ditësh, duke lënë familjen e tij ankth. Babai i tre fëmijëve ishte duke punuar në lumin e Shalës kur kontaktet me të u ndërprenë papritur. Prej atij momenti asgjë nuk dihet më për të.
Sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të tij, Skënder Pepkolaj, Edisoni ishte marrë nga vëllai i një pronari bujtine për të transportuar materiale ndërtimi. Pas përfundimit të punës, ai u tha se Oruqi ishte lënë në një ishull të vogël rëre dhe se do të kthehej të nesërmen.
Pepkolaj, i cili ka denoncuar zhdukjen në polici, shprehet se situata është e pashpjegueshme, pasi Edisoni nuk kishte dhënë asnjë shenjë shqetësimi para se të humbiste. Ndërkohë, policia ka ndërmarrë kërkime intensive përgjatë lumit të Shalës, por deri më tani pa ndonjë rezultat konkret. Sakaq, hetimet vijojnë për të zbuluar të vërtetën pas kësaj zhdukjeje misterioze.