Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Zgjidhet kryetarja e re e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Shkruar nga Newsbomb
Zgjidhet kryetarja e re e Këshillit të Lartë të
Fotomontazh: Mirela Bogdani

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi këtë të premte me 10 vota pro Mirela Bogdanin si kryetaren e re të KLP-së. Bogdani ishte kandidatja e vetme për të marrë postin e kryetares së KLP-së, pas largimit të Alfred Ballës nga ky funksion. 

Teksa prezantoi platformën e saj, Bogdani tha se kandidimi vjen në një kohë kur reforma në drejtësi po jep rezultatet dhe se është e rëndësishme që të rritet besimi i publikut te drejtësia.

“Mora iniciativën për të kandiduar. Besoj se reformimi i sistemit gjyqësor mund të realizohet i plotë vetëm nëpërmjet përfshirjes dhe bashkëpunimit. Kandidimi vjen në kohën kur reforma në drejtësi ka krijuar shtratin e saj dhe tashmë synon rritjen e eficencës dhe konsolidimin e praktikave të mira të krijuara deri tani të të gjithë institucioneve të arkitekturës së re të sistemit të drejtësisë, në frymën e standarteve evropiane dhe atyre ndërkombëtare, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek drejtësia dhe vijimin e pakthyeshëm të procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, aty ku gjeografikisht përkasim historikisht dhe tashmë po kërkojmë të përafrohemi edhe me vlerat njerëzore dhe institucionale të tij", tha Bogdani ndër të tjera. 

Kujtojmë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit me shumicë votash vendosi më herët largimin nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet të ish-kreut të KLP, Alfred Balla, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë, KPK, që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Vendimi u mor gjatë seancës së 21 majit në KPA, ku u pranua ankimimi i Komisioinerit Publik, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë.

Sipas vendimit të KPA, Balla s'ka të drejtë për t'u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Ndërsa, më 27 maj me 9 vota pro Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi përfundimin e mandatit të Ballës. Ajo që votoi kundër  vendimit për përfundimin e mandatit të Ballës, ishte vetëm Nurihan Seiti.

Kush është Mirela Bogdani?

Mirela Bogdani ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universitetit të Tiranës në vitin 2000 dhe më pas ka ndjekur të gjitha programet e kualifikimit akademik pranë këtij institucioni. Ky formim përfshin programin e Masterit Shkencor në të Drejtë Publike (2003), Masterin Profesional të në Drejtë Biznesi(2009), Doktoraturën në fushën e administrimit të zgjedhjeve (2011) dhe titullin Profesor i Associuar (2013).

Formimi akademik përfshin gjithshtu studime të thelluara pasuniversitare dhe specializime nëfushat e arbitrazhit ndërkombëtar tregtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e investimevepublike në Universitetin e Queen Marry, Qendra për Arbitrazhin Ndërkombëtar Tregtar – LondërBM (2005) dhe në fushën e shkrimit & arsyetimit ligjor në American University, Ëashington College of Law – SHBA (2008-2009).

Zgjidhet kryetarja e re e Këshillit të Lartë të
Mirela Bogdani

Gjatë karrierës profesionale, ka ushtruar detyrën e profesorit të së drejtës në Departamentin e së Drejtës Publike që nga Nëntori i vitit 2000 e në vijim, në lëndët ‘Institucionet politike dhe juridike’, ‘Shkrimi dhe Arsyetimi Ligjor, si dhe ‘Politika e Jashtme e BE’, në programet Bachelor, Master, programin e doktoraturës, dhe aktualisht në programin e integruar Master i Shkencave në Drejtësi dhe Master Ekzekutiv. Nga viti 2019-2022 ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Komisionit të Përhershëm për Dhënien e Gradës Shkencore ‘Doktor’ në Fakultetin e Drejtësië, dhe nga viti 2020-2022 anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.

Nga viti 2012 e në vijim është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës në Programin e Trajnimit Fillestar në lëndën Klinika Ligjore, si mentore (specialiste) shkencore, që së bashku me grupin e mentorëve drejtojnë magjistratët në hartimin e Memorandumeve Ligjore (opinioneve ligjore) pro bono për institucionet e larta të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatat Administrative, etj., për çështje që ata kanë interes në punën e tyre të përditshme, duke pasqyruar kërkimin ligjor më profesional të thelluar në praktikën kombëtare, si dhe standardet, praktikat dhe zhvillimet më të fundit ndërkombëtare.

 Këto Memorandume u dërgohen institucioneve përkatëse dhe botohen në Revistën ‘Jeta Juridike’ e Shkollës së Magjistraturës që aksesohen më pas nga të gjithë profesionistët e së drejtës. Nga viti 2012 e në vijim, është angazhuar në Programin e Trajnimit Vazhdues në trajnime që lidhen me Shkrimin dhe Arsyetimin e Vendimeve Gjyqësore, në Eficencën e Drejtësisë - kryesisht e lidhur kjo me mekanizmat e CEPEJ për cilësinë e drejtësisë dhe menaxhimin e kohës gjyqësore dhe Lirinë e Shprehjes.

Në eksperincën profesionale, listohen gjithashtu angazhime në projekte të asistencës ndërkombëtare të donatorëve si USAID, Këshilli i Evropës, BE, OSCE, etj., që lidhen me reformimin e sistemit gjyqësor, rritjen e efiçencës, transparencës dhe përgjegjshmërisë së tij, me shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe mediave, çështjet antikorrupsion, draftim legjislacioni, etj., shoqëruar me botimet dhe publikimet përkatëse. Që nga viti 2012 e në vijim është pika e kontaktit për Programin HELP të Këshillit të Evropës – Human Rights Education for Legal Professionals/Edukimi Ligjor i Profesionistëve të së Drejtës dhe nga viti 2021 anëtare e Bordit Këshillimor të HELP me një mandat 2 vjeçar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese