Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hapur zyrtarisht procesin e regjistrimit të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Emigrantët me të drejtë vote për zgjedhjet e 11 majit duhet të regjistrohen online për të qenë pjesë e procesit të parë zgjedhor ku diaspora ka mundësi të ushtrojë votën e saj.
Deri në orën 12:00 të ditës së sotme, janë regjistruar gjithsej 295 aplikime nga emigrantët. Sipas statistikave, kryesojnë regjistrimet nga Gjermania me 62 aplikime, pasuar nga Italia me 60, Mbretëria e Bashkuar me 36, Greqia 32, SHBA 22, Suedia 11, Kanada 10, Franca 9 dhe Austria 8.
Vota e diasporës do të numërohet në qarkun ku votuesi ka pasur vendbanimin e fundit në Shqipëri. Deri më tani, numrin më të madh të aplikimeve e ka qarku i Tiranës me 87 aplikantë, i ndjekur nga Durrësi me 17, Fieri 15, Shkodra 14, Vlora 13, Berati 11, Gjirokastra 9, Korça 9 dhe Malësia e Madhe 7.
Nga të dhënat demografike, dominojnë meshkujt, me 243 të regjistruar (82.37%), ndërsa femrat përbëjnë 52 aplikime (17.63%).