Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Zgjedhjet në universitete, nis gara për rektor, dekan dhe përgjegjës departamenti

Shkruar nga Newsbomb
Zgjedhjet në universitete, nis gara për rektor, dekan dhe
Pamje nga procesi i votimit në universitetet publike

14 institucione të arsimit të lartë publik po zhvillojnë sot procesin e votimit për të zgjedhur drejtuesit e ardhshëm që do t’i përfaqësojnë në vitet pasuese.

Në këto zgjedhje, kandidatët garojnë për organet drejtuese në pozicionin e rektorëve, dekanëve dhe përgjegjësve të departamenteve.

Në Tiranë nga 6 institucione të arsimit të lartë, vetëm në Universitetin e Arteve do të pritet me kureshtje përfundimi i votimit në orën 16:00 të mbasdites, pasi vetëm në këtë institucion kemi garim midis dy profesorëve Artan Peqinit dhe Erald Bakallit, teksa në 5 universitetet e tjera publike ka vetëm një kandidat dhe nuk priten surpriza.

Në Universitetin e Tiranës e ka të sigurt fitoren Artan Hoxha për mandatin e dytë, edhe Fatbardh Sallaku në Universitetin Bujqësor, Agron Kasa në Universitetin e Sporteve, Xheladin Draçini te Mjekësia dhe Akli Fundo në Universitetin Politeknik.

Gjithashtu, zgjedhjet po zhvillohen edhe në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, ku procesi i votimit ka nisur në orën 8 të mëngjesit dhe pritet që të përfundojë në 15:00.

Në garën për rektor në këto zgjedhje janë 3 pedagogë, Irena Nikaj, Lorenc Ekonomi dhe Robert Damo, ndërsa të drejtë vote kanë 144 profesorë dhe 2398 studentë.

Universiteti i Vlorës ka hapur qendra votimi në 4 fakultetet përbërëse të tij, ndërkohë në garë për rektor janë 3 akademikë, Evelina Bazini, Kreshnik Bello , Aurela Saliu, teksa është tërhequr më herët nga gara Yllka Stramarko.

Gjithashtu, votohet për senatin e ri të Universitetit të Vlorës, në dy flete të ndryshme, për personelin akademik dhe studentët. Studentët ndërkohë përfaqësohen nga 2 prej tyre në senatin e ri .

Universiteti i Durrësit, po ashtu ka hapur garën për zgjedhje të drejtuesve të tij. Në garën për rektor janë Prof. DR. Andon Kume, Prof. Dr. Lindita Mukli, Prof. Dr. Osman Metalla dhe Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi.

Të drejtën e votës e kanë 310 persona, pjesë e stafit akademik të UAMD-së, dhe 12, 144 studentë. Gjatë fushatës kandidatët kanë shpalosur platformat e tyre duke synuar të tërheqin sa më shumë mbështetës dhe votues, ndërsa vlen të theksohet se ky universitet ka një numër të konsiderueshëm studentësh edhe pse është hapur në vitin 2006.

3 kandidatë po garojnë për pozicionin e rektorit edhe në Universitetin e Shkodrës në zgjedhjet e ditës së sotme. Emrat që po garojnë për këtë pozicion janë Tonin Gjuraj, Rajmonda Kcirja dhe Nertila Ljarja. Më herët, Tonin Gjuraj, pretendet për pozicionin e rektorit hodhi akuza se gjatë procesit të votimit në këtë universitet janë shfaqur parregullsi.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese