
Policia e Tiranës ka zbuluar një “strofull prostitucioni" në zemër të kryeqytetit. Sipas njoftimit të uniformave blu mësohet se një 19-vjeçar kishte përshtatur një qendër masazhesh për të ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme të prositucionit.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se, shtetasi M. M., administronte një qendër masazhesh, në rrugën "Nikolla Jorgo", me menaxhere shtetasen M. K., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.
Si pasojë ra në pranga menaxherja si dhe një punonjëse, ndërsa janë proceduar penalisht tre të tjerë. Ndërkohë u shpall në kërkim pronari 19-vjeçar i kësaj qendre masazhi.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Fusion".
Si rezultat i tij:
▪️u arrestuan në flagrancë shtetaset M. K., 26 vjeçe, (menaxherja) A. B., 19 vjeçe, (punonjëse).
▪️u proceduan në gjendje të lirë shtetaset R. S., 28 vjeçe dhe K. K., 19 vjeçe, punonjëse në qendrën e masazheve, dhe shtetasi D. O., 49 vjeç, banues në Tiranë;
▪️u shpall në kërkim shtetasi M. M., 19 vjeç.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se, shtetasi M. M., administronte një qendër masazhesh, në rrugën "Nikolla Jorgo", me menaxhere shtetasen M. K., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.