
Një sasi e madhe droge është gjetur mëngjesin e sotëm në një kontejner në Portin e Pireut, në Greqi.
Sipas informacioneve të para nga mediat greke, 200 kg kokainë është gjetur në një kontejner që ishte nisur nga Amerika Latine dhe kishin destinacion Shqipërinë. Kontejneri në të cilin ishte fshehur droga përmbante karkaleca të ngrirë.
Dy shqiptarë dhe dy greke kanë rënë në prangat e policisë greke në lidhje me këtë operacion. Njëri nga shqiptarët ishte në arrati që prej 2017, pasi ishte akuzuar për prodhim pilulash Captagon, të destinuara për vendet e Lindjes së Mesme (tabletat quhen edhe “droga e xhihadistëve”). Ndërsa njëri nga dy grekët e arrestuar ishte prangosur edhe në vitin 2012 për transport armësh në Kosta Rika.
Sakaq, policia greke po vijon ende me aksionin pasi sipas informacioneve ka edhe një kontejner tjetër që ka rreth 100 kg kokainë të tjera.