
Policia e Shkodrës ka zhvilluar një operacion për goditjen e veprimtarive kriminale që operojnë në kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Për këtë rast janë proceduar penalisht kryetari i njësisë administrative Iballë, me iniciale I.B., specialisti i pyjeve, D.P., dhe kryeplaku i këtij fshati.
Të pandehurit akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi supozohet se kanë qenë në dijeni të mbjelljes së kanabisit në fshatin që ato kishin nën administrim.
Gjatë kontrolleve në territorin e këtij qarku janë gjetur dhe asgjësuar 4520 bimë dhe fidanë kanabisi, ndërsa policia vijon punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale.
Në fshatin Iballë, Fushë Arrëz, u gjetën 4520 bimë narkotike cannabis. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit: A. Z., kryetari i njësisë administrative Iballë, I. B., specialisti i pyjeve dhe D. P., kryetari i fshatit Iballë.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.