Zbërthimi i aplikacionit “Sky ECC” ka ngritur në këmbë autoritetet greke ku vetëm ditën e djeshme janë kryer 21 arrestime. Fakte të rënda kanë dalë në dritë mbi veprimtaritë kriminale të oganizatave të mëdha që kanë si veprimtari kryesore trafikimin e lëndëve narkotike, vrasjet si dhe pastrimin e parave.
Shumë të përfshirë në këto biseda të zbardhura nga ndërkombëtarët janë shqiptarë. Një prej atentateve të zbuluara nga ky aplikacion është dhe ai i Ari Papës në Athinë.
Kjo ngjarje ka ndodhur në mars të 2021 në zonën e “Stacioni i Larisës” në Athinë. 32 vjeçari ishte duke ecur rreth orën 20.00 në atë zonë kur nga një taksi është qëlluar nga dy persona me armë zjarri në drejtim të Papës.
Në atë kohë ai mori plagë të rënda në trup ndërsa u dërgua menjëherë në spital ku dhe kaloi rrezikun për jetën. Dy atentatorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes duke kërcënuar dhe taksistin ndërsa më vonë mjeti së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera u gjend i braktisur.
Lidhur me këtë ngjarje autoritetet greke kanë arrestuar në atë kohë 7 persona si të përfshirë në atentat. Tre prej të arrestuarve të cilët kishin patur rol aktiv në këtë ngjarje ishin shqiptarë, Mili 38 vjeç, Landi 30 vjeç dhe Dorian 32 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim.
Ari Para ose ndryshe i njohur si “Ari i vogël”, është ekzekutuar në maj të 2021 në një lokal në “Sepolia” të Athinës ndërsa po pinte kafe. Për vrasjen e tij kanë arrestuar dy shqiptarë si të dyshuarit kryesorë të përfshirë në atentat. Bëhet fjalë për një taksist i identifikuar si Juljan Ymeri, 47 vjeç dhe një barist grek.
Kush ishte Ari Papa:
Ari Kosta Papa i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhiver i Sarandës, i njohur me pseudonimin “Ari vogël”, nuk rezulton të ketë fotografi as në rregjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazëm”.
Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eleminuar fizikisht, edhe jo njëherë, por tre herë, aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me anti-plumb.
Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qëllimit. Dy vite më parë, 32-vjecari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.