Ylli Manjani ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë që u shpreh për Sali Berishën, duke e lënë në "Arrest Shtëpie", njëjtë siç kishte bërë Gjykata e Posaçme e Apelit.
Ish Ministri i njohur, tashmë si avokat e cilësoi vendimarrjen e trupes gjykuese si të pabazuar në ligj. I ftuar në një lidhje direkte me emisionin "A Shoë" të Adi Krastës në "Syri TV", theksoi se ky institucion vendimmarrës është më i keqi në 30 vitet e fundit.
"Në detyrën e saj Gjykata e Lartë ka dështuar në mënyrën spektakolare. Është rasti Berisha që na e sjell këtë gjë, por unë dhe shumë kolegë të tjerë, themi se ajo ka dështuar në detyrat e saj kushtetuese.
Dy detyra kushtetuese ka; të garantojë që gjykatat e këtij vendi veprojnë brenda procesit ligjor dhe jo politik. Mbajtja në izolim për arsye politike, ose për arsye jo ligjore, duhej të ishte ulëritëse për Gjykatën e Lartë.
Dumani nuk flet si jurist dhe as si prokuror fatkeqësisht. Dumani kur flet si drejtues i SPAK ka ngarkesë më shumë se sa mban si profesionist. Fjala "afërmendsh" ka treguar një sinqeritet të jashtëzakonshëm të pakontrolluar dhe e falënderoj për këtë.
Ai lapsus apo gabim është diçka për t'u përshëndetur, sepse i ka dhënë mundësinë publikut tani për të kuptuar se gjykatat nuk janë të lira dhe të pavarura, por diktohen.
Të kthehem edhe njëherë te Gjykata e Lartë. Gjykata e Lartë është katastrofike, nga më katastrofiket që ne kemi pasur ndonjëherë në këto 30 vite. Gjykata supreme e këtij vendi refuzon të bëjë detyrën. Nuk di se çfarë duhet të ndodhë tjetër’, u shpreh ai.