Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Xhahilët e mjerimit/ Ulsi Manja kallëzon 14 persona dhe 4 kompani të tjera për mashtrimin e kredive

Shkruar nga Newsbomb
Xhahilët e mjerimit/ Ulsi Manja kallëzon 14 persona dhe 4 kompani
Ne foto: Ulsi Manja

Kush janë “të pashpirtët” që bënë para me dhimbjen e shqiptarëve? Një skemë e poshtër mashtrimi me kreditë e vogla që u kthyen në skandalin e madh. Si u vodhën paratë në emër të kredisë? Si u grabitën pronat për një borxh të vogël? Si heshti shteti mbarë për vite me radhë brenda një faji kolektiv që nuk shlyhet dot as me SPAK as me “dajak”

Gazeta DITA ka mësuar se ministri Manja ka dërguar  në Prokurori më (2 qershor) një dosje tjetër më të madhe se ajo e vitit 2020 me 14 të akuzuar. Prokuroria arrestoi 9 persona një javë më parë, për mashtrimin e madh me kreditë. Ç`mund të kishte më shumë se kaq? Ministri i Drejtësisë, kallëzon 18 persona të tjerë! Kush janë?  10 përmbarues, 1 noter, 1 avokat, 1 ekspert vlerësues, 1 administrator dhe 4 kompani mikrokrediti.

Emrat:

Rigels Bejko, Alda Kodra, Florian Shehu, Altin Vako, përmbarues të një zyre.

Saimir Dogjani, Astrit Kaptelli, Rrok Deda, përmbarues të një zyre.

Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, përmbarues të shkarkuar.

Alban Kote, avokat.

Yliana Sejfo, eksperte vlerësuese.

Ernela Çuberi, notere.

Andis Gjoka, administrator “MCA”,

Kompanitë MCA, Final, ADCA, TDR Group.

Një batalion me të kallëzuar në prokurori kërkon një ushtri me hetuesa për t`i zbardhur të vërtetat e një mashtrimi që të gjithë e kanë ndjerë në lëkurë nga pak, por më shumë nga të gjithë e ndjenë ata që humbën shpresën se në këtë vend mund të gjesh drejtësi dhe ikën…

Pyetje që nuk i bërtasin dot viktimat e një skeme kriminale që thërret për drejtësi:

Sa të rinj janë larguar për t’i ikur mikrokredisë MCA që nuk e paguanin dot?
Sa prindër i lanë fëmijët pa bukë se banka “ADCA” u bllokoi gjithçka?
Sa kredi u firmosën me pahir, nën kërrbaçin e 10 xhahileve të përmbarimit?
Sa prona janë grabitur në vitin 2023 në emër të borxhit MCA-Final?
Një vit më parë në 1 Maj 2023, Dita publikoi një artikull që pasonte 5, 6 të tjerë që kishin nisur që në 2018 për mashtrimin e kredive, me protagonistët Ibro-Meskuti & Co. Personazhi i artikullit ishte Luiz Ejlli, personazhi fenomen i Big Brother që si mijëra të rinj e të reja kishte rënë në darën e kredive.

Por e njëjta dramë e rëndë sociale e mijëra të rinjve, për Ejllin pati një “happy-end”. Luizi i varfër me fitoren e tij u bë “milioner”. Pagoi “kredinë” që kishte marrë te “Iute”, por nuk tregoi kurrë sa ishte borxhi real i tij, sa para i kishte bllokuar përmbaruesi, dhe a e kishin lajmëruar se “Iute” ia kishte shitur borxhin e tij “Final”-it të Arben Meskutit që sot është në burg?

Luiz Ejlli zgjodhi të ndjekë jetën e tij “glamour”, të harrojë historinë e borxhit të tij të “paguar” dhe të harrojë bashkë me të, edhe mijëra të rinj që nuk fitojnë dot një biletë llotarie fati, si ai, por që morën një kredi për të votuar për të.

Prokuroria e Tiranës arrrestoi 9 veta, SPAK filloi hetime për zinxhirin komandues të Bankës së Shqipërisë ku përfshihet edhe vetë Guvernatori Sejko në hetim. Ministrja Etilda Gjonaj kallëzoi në 2020. Ministri Ulsi Manja kallëzon në 2024. Dhoma e Përmbaruesve në 2023, dhjetra qytetarë kanë denoncuar në redaksi dhe prokurori për vitet që kaluan dhe nuk u dëgjuan nga askush.

Mashtrimi me kredi i “gëlltiti” të gjithë, prokurorë, gjyqtarë, përmbarues, noterë, avokatë, vlerësues, bankierë, menaxherë, ministra, drejtorë, media, pushtet…në fund të gjithë iu turrëm faktit: 100 000 viktima nga mikrokreditë, MCA-ADCA fajtore, të mbyllen, të akuzohen, të izolohen!

Po ku do shkojne me dhjetëra histori emigrimi që lidhen pikërisht me mosndalimin në kohë të masakrës me mikrokredi në Shqipëri? Si do i rikthejmë pas me qindra, mijëra të rinj që iu futën një historie pa kthim, drogës, kurbetit, krimit…

Si do i rikthejmë në jetë të gjithë ata të rinj që përfunduan në demoralizim për të ardhmen e tyre, që në një çast “kredie” urryen vendin ku kanë lindur… madje edhe familjen e tyre të pafuqishme. Urryen jetën kur menduan akte vetëvrasëse.

Sa shumë është shkruar për mashtruesit që shesin e blejnë mikrokredi, për MCA – ADCA, ZIG dhe STAR, MESKUTI, IBRO etj, por shteti nuk lëvizi. Nuk lëvizi Banka e Shqipërisë, nuk lëvizi prokuroria, nuk lëvizi gjykata, nuk lëvizi shoqëria civile.

“MCA”, “Iutecredit Albania”, “Kredo.al”, “Tranzit”, “Final”, “Credital” janë mikrofinanciarët që shitën e blenë tek njëri-tjetri mallin “popull”. Banka e Shqipërisë deklaron se janë vetëm 96 000 mijë kredi të shitura nga viti 2016. Ne disponojmë të dhëna për mbi 200 000 të tilla.

Pavarësisht lumit të denoncimeve publike dhe hetimeve “intensive” MIKROKREDITË ngritën perandorinë e tyre të fajdeve dhe mashtrimit.

54 000 mijë kredi i blenë nga bankat e nivelit të dytë MCA dhe Final. 50 000 mikrokredi të tjera Iute i ka shitur tek MCA dhe Final. 100 000 kredi në duar të dy mashtruesve recidivistë, Arben Meskuti dhe Olsi Ibro.

100 000 borxhlijtë e MCA-Final përbëjnë 300 000 apo 400 000 mijë njerëz të prekur, si familjarë të borxhlinjve, si dorëzanë, miq e të afërm që janë telefonuar deri masakruar moralisht në qendrat e punës, lagjes, shtëpisë, rrugicës, fshatit…aty ku i gjenin “në emër të borxhit” xhahilet e mikrokredive.

Ku ishte Drejtësia, SPAK kur u grabitën shtëpitë për një “lavatriçe”?

Në kallëzimin e Ministrit Manja shkruhet: Raiffeisen Bank ka përcjellë informacion për vendosjen e 21 550 urdhrave të sekuestrimit të llogarive bankare nga Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Altin Vako. Ndërsa përmbaruesi Rigels Bejko, ka kryer i vetëm 1966 ankande publike për më shumë se 3 000 prona!

Kurt (Kutish) Hysa dhe Irma Hysa nga Borovjani i Dibrës, që kishin marrë një kredi konsumatore tek NOA në 2019, i ka dalë në ankand ara me sipërfaqe 1560 m2 për 36 240 lekë. MCA e ka marrë arën në Kadastër në datë 2.10.2023.

Klarida Tahiri dhe Gramos Tahiri (faksimilet më poshtë) nga Vlora, për një kredi te NOA në 2018 i ka ikur apartamenti në ankand për 189 110 lekë. Prona është marrë nga MCA në datë 11.10.2023.

Besnik Serjani, ka marrë një kredi tek MCA në 2017, është mashtruar për të larë një kredi të vjetër e ka marrë një të re. I është rrëmbyer prona truall me sipërfaqe 68.9 m2 në ankand për 390 000 lekë. MCA e ka kaluar në pronësi në 29.9.2023.

Hamit dhe Nazmie Koka nga Bërzhita Tiranë (faksimilet më poshtë), për një kredi konsumatore tek NOA i është sekuestruar ndërtesa me sipërfaqe 129 m2 për vlerën 21 391 lekë. Ka dalë në ankand për 238 480 lekë, rrëmbyer në Kadastër nga MCA në 5.10.2023.

Shembujt janë të shumtë dhe barbarë, po të shihet mënyra se si janë trajtuar njerëzit, pronat, jetët e tyre nga një bandë kusarësh të veshur deri ditët e fundit me pushtet për të grabitur në emër të “kredisë”./Gazeta Dita

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese